BE, të mërkurën votim jodetyrues për Palestinën

16/12/2014 00:00

Ligjvënësit e Bashkimit Europian u ndalën shumë pak, gjatë së martës, në propozimin e një mocioni të përbashkët, që nxit vendet anëtare të unionit të njohin shtetin e Palestinës, duke zgjedhur në vend të kësaj një rezolutë kompromisi, që kërkon vazhdimin e bisedimeve për paqe.

Socialdemokratët e krahut të majtë dhe “të gjelbrit” në Parlamentin Europian kanë prezantuar mocionet për një votim simbolik gjatë së mërkurës, që i bëjnë thirrje 28 vendeve anëtare të BE-së të njohin shtetin palestinez pa kushte.

Kjo lëvizje vjen pas vendimit të Suedisë, në tetor, për njohjen e Palestinës, si dhe votimet jodetyruese të Parlamenteve të Britanisë, Francës, Irlandës dhe Spanjës, në favor të njohjes, gjë që demonstron padurimin gjithnjë e në rritje të europianëve me ngecjen e procesit të paqes.

Disa prej vendeve europiane kanë ngritur vazhdimisht zërin duke shprehur irritimin me Izraelin, i cili ka ndalur edhe bisedimet e fundit të sponsorizuara nga Shtetet e Bashkuara gjatë prillit, e që prej atëherë ka vijuar me programin e blloqeve të banimit në territoret që Palestina i kërkon për shtetin e ardhshëm.

Gjithsesi, Partitë Popullore Europiane, të qendrës së djathtë, që përbëjnë gjithashtu edhe grupin më të madh në PE, si dhe grupi i katërt më i madh (ALDE) Aleanca e Liberaldemokratëve të Europës, thanë se njohja duhet të jetë vetëm pjesë e një marrëveshjeje të negociuar me Izraelin.

Pas bisedimeve të së martës, negociatorët e socialistëve të qendrës së majtë dhe demokratëve (PPE dhe ALDE), të cilët së bashku zotërojnë mazhorancën në Parlament, ranë dakord për tekstin si në vijim:

“Parlamenti Europian mbështet në parim njohjen e shtetit të Palestinës dhe zgjidhjen dyshtetërore në Lindjen e Mesme, ndaj dhe beson se kjo gjë duhet të arrihet krah për krah me zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve për paqe, të cilat nuk duhet të ndalen deri në gjetjen e zgjidhjes”.

Votimi për rezolutën jodetyruese pritet të kryhet mesditën e së mërkurës në Strasburg.

Top Channel