Kerry: SHBA, asnjë përcaktim mbi rezolutën ndaj Palestinës

16/12/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, është shprehur gjatë së martës se Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë “asnjë përcaktim” në lidhje me një rezolutë të mundshme të Këshillit të Sigurisë në OKB, mbi shtetësinë e palestinezëve.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se kishte kërkuar garanci nga Kerry, që Uashingtoni do të bllokonte përpjekjet e palestinezëve dhe europianëve për të caktuar një udhërrëfyes për krijimin e shtetit të Palestinës.

Jordania ka hartuar një rezolutë për Palestinën dhe ua ka dorëzuar Këshillit prej 15 anëtarësh, që bën thirrje për fundin e pushtimit të tokave palestineze nga Izraeli deri në fund të nëntorit 2016.

“Nuk kemi bërë asnjë përcaktim në lidhje me gjuhën, sjelljet, rezoluta specifike apo çfarëdo gjëje tjetër”, tha Kerry për reporterët, gjatë një vizite në Londër. “Ky nuk është momenti i duhur për të detajuar biseda private, apo për të spekuluar ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit në OKB, që ende nuk është vendosur mbi tavolinë, pa marrë parasysh deklaratat publike që janë bërë për të”.
Ai tha se amerikanët janë të ndërgjegjshëm se do të duhet të “kalibrojnë me kujdes” çdo hap apo masë që do të ndërmerret, por edhe se “është e domosdoshme që të ulet temperatura” në rajon, në mënyrë që të gjendet rruga e duhur për paqen e kërkuar si nga izraelitët, edhe nga palestinezët.

“Status quo-ja aktuale është e paqëndrueshme për të dyja palët, – tha ai. – Për momentin, ne po përpiqemi të zhvillojmë bisedime konstruktive me cilindo, për të gjetur rrugën më të mirë për avancimin përpara”.

Top Channel