Hillary Clinton, partneritet të ri për dhënien fund të ndasive gjinore

16/12/2014 00:00

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael R. Bloomberg, kanë përcaktuar fazën e ardhshme të një programi që mbledh të dhëna për ngushtimin boshllëqet gjinore në disa aspekte të ndryshme të jetëve të grave.

Përmes 6 partneriteteve të reja, nisma “Data2x” do të mbledhë të dhëna mbi shëndetin e femrave, punësimin, varfërinë dhe progresin, mes të tjerave, për të ndihmuar në udhëheqjen më të mirë të politikave dhe për investime më të zgjuara që do të sjellin përfitime për gratë, por edhe për shoqëritë në përgjithësi.

“Sa u përket jetëve të grave dhe vajzave, shumë gjëra nuk maten e llogariten”, tha Clinton, për një kohë të gjatë mbrojtëse e të drejtave të grave dhe vajzave, gjatë një eventi të organizuar të hënën prej fondacionit filantropik të ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, “Bloomberg Philantrophies”.

“Lindjet nuk numërohen gjithmonë; puna e grave jashtë ekonomisë formale gjithashtu; pjesëmarrja e grave në vendimmarrje apo edhe në tryezat e hartimit të politikave të paqes, jo gjithmonë llogaritet. Ka kaq shumë boshllëqe të dhënash që minojnë progresin, jo vetëm për gratë dhe vajzat, por edhe për shoqëritë në përgjithësi”.

“Nëse ju nuk mund t’i masni këto gjëra, atë nuk mund t’i menaxhoni dot”, tha Bloomberg, i cili nënvizoi rolin kyç të luajtur nga këto të dhëna në nxitjen e transparencës në llogaridhënie.

E themeluar nga Clintoni në vitin 2012, kur ajo ishte në krye të Departamentit të Shtetit, “Data2X” udhëhiqet nga Fondacioni i Kombeve të Bashkuara me mbështetjen e Fondacionit të Bill dhe Melinda Gates, mes të tjerëve.

Nisma në fjalë ka identifikuar 28 boshllëqet në të dhënat globale të ndarjeve gjinore mes 5 fushave kryesore: shëndetësi, edukim, mundësi ekonomike, pjesëmarrje politike dhe siguri sociale.

Top Channel