PD: Rama-Meta, shkelësit e Kushtetutës. S’do ta njohim hartën

16/12/2014 00:00

Pas deklaratave të kreut të Kuvendit, Ilir Meta, reagoi Partia Demokratike. Eduard Halimi tha se dyshja Rama-Meta janë shkelësit serialë të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai rideklaroi se opozita nuk ka për ta njohur asnjëherë ndarjen e re territoriale.

“Ata që urdhëruan bllokimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për të fshehur llumin ku është zhytur Parlamenti, me deputetë të inkriminuar dhe familjarë të tyre pjesë të mafias ndërkombëtare dhe trafikut ndërkombëtar, sot dolën për të folur për Kushtetutën dhe hartën politike të bashkëfirmosur, si një hartë e interesave të errëta të Edi Ramës, Ilir Metës dhe kujtdo tjetër që u përfshi në këtë farsë. Demokracia sot është në udhëkryq. Por ne kemi bindjen se nuk do të mbetet, nuk do të qëndrojë, nuk do të zgjasë si e tillë. Harta politike e dyshes Rama-Meta është e papranueshme dhe nuk do të pranohet kurrë nga PD. Fjala e fundit është e qytetarëve, është e sovranit që ka gjithë të drejtën të ngrejë gishtin e akuzës ndaj qeverisë oligarkike që refuzoi t’i pyeste, që kanë të gjithë të drejtën të shprehen dhe të vendosin zbatimin e drejtpërdrejtë të Kushtetutës, si  ligji suprem i pushtetit të popullit. Që kanë gjithë të drejtën të vendosin me një demokraci të drejpërdrejtë”, u shpreh deputeti Halimi.

Top Channel