Hapja e dosjeve, Këshilltarja gjermane: Mundësi për të hapur një proces të ri

16/12/2014 00:00

Ish-zëvendëskryetarja e Parlamentit gjerman, Petra Blass, është këshilltarja e ministrit Veliaj për hartimin e ligjit për hapjen e dosjeve. Ajo thotë se është një mundësi për të hapur një proces të ri në Shqipëri. Zonja Blass thekson se me rëndësi është transparenca dhe drejtësia e procesit.

TCH: Zonja Petra Blass, ju keni qenë për një kohë të gjatë numri 2 në Parlamentin gjerman (Bundestag) dhe keni një eksperiencë të gjatë për sa i përket çështjes së dosjeve edhe në Gjermani. Tashmë jeni këshilltare e ministrit të Mirëqenies, Erion Veliaj, për këtë proces, i cili pritet të nisë së shpejti. Për ju është e rëndësishme hapja e dosjeve në Shqipëri, si e shikoni këtë proces?

Petra Blass-Rafajlovski: Për mua është një mundësi e re për të hapur një proces të ri, një proces i cili duhet të merret me të kaluarën. Kjo është diçka, e cila mund të shkaktojë edhe përplasje politike. Dhe, në një skenë ku ka bojkote politike, unë sot realisht u habita me pjesëmarrjen e gjerë në këtë nismë. Shpresa më e madhe është drejtësia dhe transparenca e procesit.

TCH: Ju keni një eksperiencë të gjatë në Gjermani. Cilat janë rregullat dhe procesi që është ndjekur atje?

Petra Blass-Rafajlovski: Përparësi është të kemi një ligj, që të rregullojë hapjen e këtyre dosjeve. Nga përvoja gjermane, për përdorimin e të dhënave personale apo për rregullat e vendosura, ligji nuk ishte i përqëndruar te pjesa e polikanëve. Nëse zgjidhet një zyrtar, institucionet përkatëse mund të aplikojnë për të kuptuar se si është figura e këtij politikani apo zyrtari. Por, edhe nëse ka ndonjë të dhënë, nuk shkohet drejtpërdrejt te dorëheqja. E rëndësishme është të ketë drejtësi. Ka një proces. Dosja duhet të trajtohet në një mënyrë asnjanëse, pasi jo çdo gjë që është shkruar në dosje, është e vërtetë. Nëse zyrtari është në Parlamet, krijohet komision parlamentar apo shkohet në gjykatë. Por kjo s’duhet të kthehet si një instrument në duart e politikës. Ky ligj duhet të ketë në fokus viktimat. Bëni transparencë e më pas kërkoni lustracionin.

TCH: Ju më parë thatë se edhe në Gjermani, ky proces ka qenë mjaft delikat. Ka pasur vetëvrasje dhe incidente të tjera pas hapjes së dosjeve. Në Shqipëri çfarë duhet të kemi kujdes gjatë këtij procesi?

Petra Blass-Rafajlovski: Ka pasur raste të dosjeve, si ato që ju përmendët. Informacionet janë botuar në media dhe kanë shkatërruar personalitete. Unë vetë jam dëshmitarë, se si një koleg në Parlament u verifikua që ishte pjesë e sigurimit. Nuk kishte bërë asgjë, por kreu vetëvrasje pasi ishte i ndjeshëm. Nuk e përballoi dot situatën. Na duhet legjislacion i qartë dhe tryeza e fokusi duhen të jenë te viktima. Për të bërë drejtësi dhe jo t’i shkatërrojmë. Lustracioni është i mirë, por duhet të ketë parametra të qartë specifike, të rregulluara me ligj. Duhet të jemi seriozë. Këto ligje bëhen në Parlament, por kjo është një përgjegjësi ndaj brezave të ardhshme, që filloi me hapjen e “Bunk’Art”-it e vijon me këtë nismë sot.

Top Channel