Rruga Tiranë-Elbasan, e mbyllur pa afat

16/12/2014 00:00

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se pas analizës së grupit të ekspertëve të ngritur për manaxhimin e situatës së shkaktuar nga rrëshqitja e dherave në zonën e Ibës në rrugën Tiranë-Elbasan, ditën e shtunë, grupi ka arritur në përfundimin se zona akoma cilësohet me potencial shumë të lartë rrëshqitje.

Për këtë arsye, rruga do të mbetet e bllokuar dhe duke vënë në plan të parë sigurinë e jetës së 30 familjeve të zonës, ata do të vazhdojnë të jenë të zhvendosur. ARRSH thotë se familjeve u është siguruar vendbanimi për një afat 1-mujor, ku kontraktori ka ofruar pagesën për qiranë e këtyre vendbanimeve.

Ndërkohë është përgatitur plani i masave për veprim. Duke filluar nga dita e mërkurë, kompania kontraktore do të ndërhyjë për të filluar me ritme të shpejta heqjen e dherave nga pjesa e sipërme e masës së rrëshqitur.

Qarkullimi i këmbësorëve pranë zonës së rrëshqitjes së dherave do të jetë i ndaluar dhe po vlerësohet mundësia për ofrimin e një rruge provizore, për të mundësuar qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.

Top Channel