Një ditë para “Grand Gala 2015”

16/12/2014 00:00

Edhe një ditë ndan nga “Grand Gala”-ja e organizuar nga Top Channel dhe Fondacioni Mediatik Dritan Hoxha, që do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Këngë shqiptare, që kanë bërë historinë e muzikës vendase, do të interpretohen nga këngëtarë modernë e lirikë, por edhe pjesë instrumentale të sotme e të hershme do të jenë pjesë e mbrëmjes.

“Gjërat e bukura janë të përjetshme. Ndonëse ne kemi një traditë të vogël, pasi 50 vjet për muzikën nuk është ndonjë gjë e madhe, por nuk jemi asnjëherë bosh në gjëra, të cilat kanë lënë mbresa në kohën e vetë, janë pasuar dhe kanë ardhur deri në kohën e sotme, por ma merr mendja se do të jenë të pavdekshme. Një ndër to, kryesisht, ka qenë muzika e filmave dhe në këtë mbrëmje që do të zhvillohet të mërkurën, unë kam kënaqësi të madhe që do të luaj një nga gjërat më të bukura të kompozitorit Kujtim Laro, nga filmi ‘Në fillim të verës’. Kjo është sa më përket mua, me aq sa mund të bëj unë. Sonte është 60-vjetori që kam dalë për herë të parë para publikut me muzikë serioze”, u shpreh Prof. Robert Radoja, pianist e kompozitor.

I vetmi përjashtim, në këtë “Gala” me bazë muzikore vendase:

“Është gjithmonë kënaqësi të kthehem sërish në Tiranë dhe të jem pjesë e këtyre organizimeve të Top Channel, dhe më vjen shumë mirë që nuk më harrojnë asnjëherë, që nga momenti kur kam dalë nga ‘The Voice’. Mirëpo është hera ime e parë që marr pjesë në një mbrëmje ‘Gala’ të tillë dhe më është besuar një rol i veçantë: të kërcej. Unë jam shumë e entuziazmuar dhe shumë e privilegjuar. Këngën e vetme do ta këndoj në gjuhë të huaj dhe është ‘Nothing else matter’ nga Metallica, që i dedikohet themeluesit të Top Media-s, zotit Dritan Hoxha”, thotë Rina Bilurdagu, këngëtare, fituese e “The Voice of Albania 1”.

Gjatë mbrëmjes do të jepet edhe çmimi “Dritan Hoxha”, një personazhi që ka spikatur në fushat social-kulturore gjatë vitit 2014. Të ardhurat e biletave të “Grand Gala”-së do të shkojnë për ndërtimin e rrugës që të çon në Malbardhë, fshatin ku banorët në shumicë muslimane ndërtuan një kishë për banorët e tjerë, të cilët janë të krishterë. Një shembull i tolerancës fetare, nga i cili është marrë dhe tematika e “Grand Gala”-së, e cila i dedikohet tolerancës në tërësi. Biletat gjenden pranë Top Channel, te Piramida.

Top Channel