Mbyllet dita e parë e samitit të Beogradit

17/12/2014 00:00

Në Beograd u mbyll dita e parë e samitit të vendeve të rajonit të Europës Juglindore ku po diskutohet për bashkëpunimin ekonomik me Kinën. Zyrtarët kinez kanë premtuar 10 miliardë dollarë investime, kryesisht në energji, hekurudhë, transport dhe investime të tjera strategjike.

Gazetari i Top Channel në Beograd, Idro Seferi, në “Revistën Televizive të Mbrëmjes, e cilësoi ditën e parë të samitit mjaft shpresëdhënëse, pavarësisht dyshimeve për reagimet e BE-së.

Kryeministri Rama e filloi fjalimin e tij para të pranishmëve me një metaforë, duke thënë se ‘ne ndjehemi ngrohtë’, pavarësisht se në Beograd është një mot i ftohtë. Zoti Rama tha se shpreson që këto kontakte me Kinën të kthehen në një fuqi për bashkëpunim rajonal dhe zhvillimin ekonomik. Ai shtoi se rajoni është i lodhur për shkak të reformave të gjata, të cilat i kanë kushtuar edhe qytetarëve dhe luti kolegët e tij ta shpejtojnë në këtë bashkëpunim.

Gjatë ditës së parë të samitit, Kryeministri kinez tha se është i gatshëm të investojë dhe të marrë përsipër krijimin e korridoreve të reja për bashkëpunim. Edhe nga bisedat e mëparshme, përveç “Rrugës së Arbrit”, Shqipëria do të ketë interes edhe për projekte të tjera, të cilat janë në përgatitje e sipër.

Për sa i përket vijimit të axhendës gjatë ditës së mërkurë të samitit, Idro Seferi u shpreh se do të ketë disa takime të shkurtra. Kryeministri Rama do të ketë një takim me Kryeministrin kinez dhe më pas do të takojë edhe Kryeministrin e Serbisë për rreth 30 minuta.

Top Channel