Synimet e Kinës në Ballkan

17/12/2014 00:00

Valbona Zeneli, profesore në Qendren Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall” ka publikuar këto ditë në mediat ndërkombëtare dhe në Shqipëri një analizë mbi samitin e Kinës me vendet e Europës Juglindore.

Në lidhje me “Skype” në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Zeneli u shpreh se pritshmëritë nuk duhet të jenë kaq të mëdha nga ky samit, pasi kemi të bëjmë me kredi, pavarësisht se mund të jenë me interesa të buta dhe nuk është një formë ndihme që Kina po jep ndaj këtyre vendeve.

Pandi Gjata: Nisur edhe nga analizat tuaja të dy ditëve të fundit për samitin e Beogradit, kjo qasje ekonomike që po vjen prej Kinës në rajonin e Ballkanit, a shikoni se ka edhe një qasje politike? A po tenton Kina të blejë influencën politike në rajon me investime?

Valbona Zeneli: Jemi në hapat e para të investimeve kineze në Ballkan. Patjetër që në të ardhmen investimet kineze mund të ndikojnë edhe në influencën politike të Kinës në këtë rajon. Kam parë që ka pasur një interes të jashtëzakonshëm nga mediat, jo vetëm shqiptare, por edhe nga media të tjera të Ballkanit në lidhje me këtë samit, duke e konsideruar atë të jashtëzakonshëm. Unë do të thosha që kemi të bëjmë me një samit normal të iniciativës 16+1. Ky samit është shumë i ngjashëm edhe me iniciativa të tjera kineze rajonale, siç janë samitet e zhvilluara me Azinë Qendrorë, Amerikën Latine apo edhe me vende të ndryshme të Afrikës. Pra, shoh padiskutim një interes ekonomik të Kinës në këtë rajon, por do të thosha që është ende herët për të përcaktuar influencën politike. Rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka një destinacion të mirëpërcaktuar dhe ai është integrimi në BE. Edhe në Konferencën e vitit të kaluar në Bukuresht u përcaktuan 4 shtylla kryesore. Pra, jo vetëm rritja apo eksplorimi i potencialeve ekonomike dhe tregtare, por edhe rritja e potencialeve të besimit reciprok midis vendeve, krijimi i projekteve të ndryshme të bashkëpunimit, si dhe forcimi i shkëmbimeve kulturore.

Pandi Gjata: Të mbetemi te pjesa ekonomike e çështjes. Në këtë situatë që flasim, cili është interesi i biznesit kinez në rajonin e Ballkanit?

Valbona Zeneli: Këto iniciativa janë të ndërsjella. Absolutisht që do të ketë përfitime edhe për kompanitë kineze, të cilat do të jenë pjesë e këtyre projekteve. Kam vënë re se në shumë projekte infrastrukturore, ku ka investuar Kina përmes bankave të saja të zhvillimit, janë kontraktuar një pjesë e madhe e kompanive kineze. Në dhjetëvjeçarin e fundit Kina ka një strategji të fuqishme të investimeve jashtë vendit.

Pandi Gjata: Pra, ju shikoni një entuziazëm më të madh në Ballkan nga sa ai është në realitet?

Valbona Zeneli: Ballkani vuan për investime të huaja. Vetëm 0.9% të investimeve globale shkojnë në Ballkan, në një zonë kaq të favorshme dhe strategjike, në derën e BE-së. Në këtë 0.9% rreth 70% janë të lidhura me proceset e privatizimeve të koncesioneve. Pra, kemi një mungesë të investitorëve që janë të interesuar për klimën e biznesit apo për atë që Ballkani ofron.

Pandi Gjata: Ju përmendët edhe integrimin e Ballkanit në BE. Paralel me këto investime të Kinës në rajonin tonë kemi edhe një iniciativë të Gjermanisë. A shikoni një ‘betejë’ projektesh mes Europës dhe Azisë në këtë rajon?

Valbona Zeneli: Nuk do të flisja për beteja pasi destinacioni është i mirë përcaktuar, qoftë i Shqipërisë apo edhe i vendeve të tjera të Ballkanit. Unë mendoj që iniciativa e Berlinit është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ideja e saj ishte që Ballkani edhe për investitorët duhej paraqitur si një treg i vetëm. Asnjë nga vendet e Ballkanit nuk mund të tërheqë investitorë për ato tregje të vogla që janë në këto shtete. Nëse Ballkani nuk paraqitet si një treg prej 18 milionë banorësh është shumë e vështirë që të tërhiqen investime cilësore. Do të doja shumë që edhe në investimet që do të bëhen nga Kina në infrastrukturë do të doja një përfshirje edhe të kompanive vendase në këto punime.

Top Channel