Bajerni nuk di të ndalet

17/12/2014 00:00

Mbrëmjen e së martës janë luajtur 4 sfidat e para të javës së 16-të të Bundesligës gjermane. Kampioni në fuqi, Bajerni i Mynihut vazhdon edhe pas kësaj javë të jetë i pamposhtur.

Kundërshtari i radhës për bavarezët ishte Freiburgu, lojtarët e të cilit u shfaqën totalisht të pafuqishëm në “Allianz Arena”, ndeshja u mbyll 2-0.

Robben dhe Mueller ishin dy autorët e golave të shënuar përkatësisht në minutën e 41 dhe 48-të. Deri në fund të takimit ndeshja është luajtur thuajse me një portë, teksa portieri Neuer e ndiqte takimin nga rrethi i mesit të fushës në disa momente. Me këtë fitore Bajeri shkon në kuotën e 42 pikëve, 12 më shumë se Volfsburgu i vendit të dytë dhe me një golavarazh fantastik, me 39 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar.  

Ndërkohë të martën, Shtutgardi arriti një fitore 0-1 me mjaft vlera në transfertën e Hamurgut, duke u larguar nga fundi i renditjes. Hanoveri mposhti 2-0 Augsburgun, ndërsa Këln-Mainz u mbyll me rrjeta të paprekura.

Top Channel