Pakistan, zhvillohen funeralet e nxënësve, 3 ditë zie kombëtare

17/12/2014 00:00

Në qytetin Peshawar të Pakistanit ka pllakosur zia, teksa zhvillohen sot funeralet e viktimave të një sulmi të talebanëve në një shkollë, ku mbetën të vrarë 132 nxënës dhe 9 pjesëtarë stafi.

Vajtues të shumtë u mblodhën përreth arkivoleve të tejmbushur me lule, pas manifestimeve të heshtura dhe me qirinj të ndezur nëpër duar u zhvilluan përgjatë natës.

Agresorët kishin kaluar nga njëra klasë në tjetrën duke vrarë studentët, në atë që konsiderohet si sulmi më vdekjeprurës i talebanëve në Pakistan, deri më sot.

Kryeministri Nawaz Sharif deklaroi 3 ditë zie për shkak të masakrës, e cila ka nxitur gjithashtu revoltë mbarëpopullore. Ndërkohë, ai njoftoi edhe heqjen e moratoriumit ndaj dënimit me vdekje gjatë së mërkurës, pikërisht pas kësaj masakre në shkollë. Liderët botërorë kanë shprehur gjithashtu neverinë ndaj një sulmi të tillë, që në fakt është kritikuar edhe nga vetë talebanët afganë.

Në një tjetër ngjarje, ushtria e Pakistanit bëri të ditur se ka nisur sulmet ajrore kundër militantëve në zonat Khyber dhe Waziristanin Verior, edhe pse ende nuk është e qartë nëse kjo është një përgjigje e drejtpërdrejtë për sulmin në shkollë.

Sharif mbajti gjithashtu një takim të të gjithë partive parlamentare në Peshaëar, për të diskutuar mënyrën e kundërpërgjigjes. Takimi i së mërkurës është thirrur për të treguar se i gjithë kombi palestinez qëndron kundër ekstremizmit, tha ministri Pervaiz Rashid për reporterët.

Sipas ushtrisë, sulmi i të martës është organizuar nga 7 talebanë, të gjithë të veshur me jelekë me bomba. Ata hynë në shkollë përmes një gardhi me tela me gjemba nga pas, dhe sulmuan auditoret ku fëmijët ishin duke dhënë një provim.

Ata kaluan nga klasa në klasë në shkollën ushtarake, duke qëlluar nxënësit dhe mësuesit, kudo që ata gjenin të tillë, thonë të mbijetuarit. Rrethimi i shkollës Publike Ushtarake të Peshaëarit, që arsimonte djem e vajza me prejardhje si ushtarake por edhe civile, zgjati për tetë orë.

Plot 125 persona u plagosën, sipas ushtrisë, përpara se 7 agresorët të vriteshin. Qindra persona u evakuuan. Talebanët pakistanezë u justifikuan për sulmin duke thënë se ai ishte një shenjë hakmarrjeje për fushatën e ushtrisë kundër tyre. U zgjodh pikërisht ajo shkollë, pasi edhe familjet e militantëve kanë vuajtur nga humbje të mëdha.

Top Channel