Australi, Abbott: Hetim rrënjësor dështimit të sigurisë ndaj pengmarrjeve

17/12/2014 00:00

Kryeministri australian Tony Abbott urdhëroi gjatë së mërkurës një hetim të thellë e gjithëpërfshirës ndaj pengmarrjes vdekjeprurëse në Sidnej, pasi ligjet e reja të ashpra të sigurisë, por edhe gjykatat, dështuan të ndalin një kriminel të dënuar më parë të hynte në një kafene me një armë të fshehur.

3 persona mbetën të vrarë, përfshi pengmarrësin Man Haron Monis, kur policë të armatosur rëndë mësynë në kafenenë e Sidnejit mëngjesin e së martës, për të liruar pengjet e terrorizuar të mbajtur nën kërcënimin e armës për rreth 16 orë.

Policia ka nisur hetimet edhe për faktin nëse dy pengjet u vranë nga Monis, apo kanë mbetur viktima të shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe pengmarrësit. Monis, një sheik i vetëquajtur i cili përfitoi azil politik nga Irani në vitin 2001, ishte tepër i njohur nga autoritetet australiane, pasi ishte akuzuar si i përfshirë në vrasjen e së shoqes, si dhe me disa akuza për agresione seksuale. Ai ishte liruar me kusht.

Australia miratoi një paketë të re ligjesh të ashpra sigurie gjatë tetorit, me synimin për të ndalur njerëzit të radikalizoheshin dhe të shkonin si pjesëmarrës nëpër konfliktet e Lindjes së Mesme, si ato në Irak apo Siri, ku qindra australianë u janë bashkuar grupeve militante, ashtu sikurse edhe për të parandaluar sulme terroriste brenda vendit.

Pavarësisht këtyre masave, Abbott tha se Monis nuk figuronte në listën e vëzhgimit të forcave të sigurisë dhe arriti të hynte i paidentifikuar drejt kafenesë “Lindt Chocolate”, me një armë të siguruar në rrugë ligjore, pikërisht mëngjesin e një dite të ngarkuar pune. Monis është dënuar në vitin 2012 për dërgimin e mesazheve të urrejtjes ndaj familjeve të ushtarëve australianë të vrarë në Afganistan.

Abbott tha se qeveria kombëtare dhe ajo e shtetit të New South Wales duhet të ndërmarrin një rishikim urgjent për identifikimin e të metave të sistemit, ku ai ka dështuar, në mënyrë që të kuptohet se si mund të parandalohen sulme të ngjashme në të ardhmen.

“Ne duhet të dimë se përse agresori i këtij sulmi të tmerrshëm siguroi qëndrim të përhershëm në Australi. Duhet të dimë se si ai mund të jetonte në mirëqenie të plotë për kaq shumë vite. Duhet të dimë se çfarë bëjnë këta individë me një licencë për përdorim arme”, tha Abbott për reporterët në Canberra.

“Veçanërisht ne duhet të dimë se si dikush, me një histori kaq të gjatë ngjarjesh të dhunshme, histori kaq të gjatë paqëndrueshmërie mendore, është liruar me kusht pas përfshirjes së tij në sulme të ndryshme e të tmerrshme. Madje, ne duhet të dimë se përse ai mundi të dalë nga lista e vëzhgimit të agjencive të sigurisë, që prej vitit 2009”.

Top Channel