Kina “zbarkon” në Ballkan, samiti i Beogradit në ditën e dytë të punimeve

17/12/2014 00:00

Sot mbahet dita e dytë e samitit të vendeve të Europës Jug-lindore së bashku me Kinën, që zhvillohet në Beograd. Por cilat janë pritshmëritë e palës shqiptare, që po merr pjesë në këtë samit me një delegacion të drejtuar nga kryeministri Edi Rama?

Në një intervistë për Top Channel në Beograd, kryeministri tha se samiti është me një rëndësi për të gjithë vendet e rajonit dhe për projekte konkrete. Rama beson se do të finalizohet një projekt për lidhjen hekurudhore të rajonit, por edhe një sërë marrëveshjesh të tjera me palën kineze. Po ashtu ai flet edhe për këtë rikthim në Serbi dhe për takimin që do të ketë me kryeministrin Vuçiç.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka kërkuar nga homologët e tij, që të përshpejtohet procesi i zhvillimit të rajonit. Samiti i Kinës me vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore është zhvilluar në kryeqytetin serb, duke mbledhur 16 kryeministra nga 17 vende, në pritje të projekteve zhvillimore me investime nga Kina ku janë premtuar 10 miliardë dollarë investime.

Kryeministri Rama tha se Shqipëria ka një rast të mirë për të realizuar projekte, që janë negociuar për shumë kohë.

“Samiti është me një rëndësi për të gjithë vendet e rajonit sepse bëhet fjalë për një nismë konkrete dhe për projekte konkrete. Besoj dhe shpresoj që të finalizojmë një përpjekje 1-vjeçare, që na ka çuar në një formulë të re inovative për financimin e Rrugës së Arbërit, e cila do t’i propozohet më tej nga kryeministri kinez edhe vendeve të tjera që nuk mund të thellojnë borxhin dhe të marrin garancitë sovrane. Nga ana tjetër, kemi një sërë kontaktesh të rëndësishme me të tjerët në rajon për të folur dhe për të finalizuar një qendrim të propozuar prej nesh për lidhjen hekurudhore të rajonit, ashtu si një sërë marrëveshjesh të tjera me palën kineze në marrëdhëniet dypalëshe për infrastrukturën, zonat industriale dhe për mbështetjen e rilindjes së bujqësisë përmes një financimi të ndjeshëm në rehabilitimin e gjithë sistemin e ujitjes dhe kullimit, që për fat të keq është katandisur në mos më keq”, tha Rama.

“Shpresoj që t’i japim një shtysë përpara procesit, që për mua është pa kthim, me më shumë ritëm. Serbia është fqinji ynë dhe jo armikja jonë, por duhet ta them që procesi i përbashkët për të çuar përpara projektet e bashkëpunimit për t’i dhënë paqes një kuptim të ri për popujt tanë do të vazhdojë, ndërkohë nga ana tjetër për Serbinë sa më shpejt të njohë Kosovën, aq më mirë do të jetë, për të parë tërësisht nga e ardhmja, për të mos mbetur peng i së shkuarës”, deklaroi Kryeministri Rama.

Nën masa të rrepta sigurie, dita e parë e samitit ka pasur edhe pjesën e saj ekonomike dhe pas kësaj pjesë, pasoi fotografia e përbashkët dhe fjalimet e kryeministrave.

Li Keqiang, kryeministri kinez, tha se duhet ndërtuar korridore të reja, pasi Kina ka kapacitete, prodhim dhe zhvillim. Sipas tij, duhet ndërtuar hekurudha, zona industriale dhe këto vende kanë nevojë emergjente për ekonominë. Kryeministri kinez tha edhe se Bashkimi Europian është partner i rëndësishëm i Kinës.

Top Channel