Deputetët e rinj të Kosovës, zëvendësohen 13 ministrat

17/12/2014 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i ka dërguar Presidentes Atifete Jahjaga emrat e 13 deputetëve të rinj, të cilët do të zëvendësojnë deputetët që janë bërë ministra. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, lexoi emrat të cilët u rekomanduan që të jenë deputetë të Parlamentit të Kosovës, sipas votave që kanë marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Nait Hasani, kandidat nga subjekti politik PDK, do të zëvendësojë Hashim Thaçin si deputet. Shaip Muja, po ashtu kandidat i subjektit politik PDK, do të zëvendësojë Hajredin Kuçin, nga i njëjti subjekt. Hajdar Beqa, nga subjekti politik PDK, do të zëvendësojë Arsim Bajramin. Fadil Demaku, nga subjekti politik PDK, do të zëvendësojë Memli Krasniqin. Salihe Mustafa, kandidate e subjektit politik PDK, do të zëvendësojë Edita Tahirin. Murat Hoxha, nga subjekti politik LDK, do të zëvendësojë Isa Mustafën. Agim Kikaj, kandidat nga subjekti politik LDK, do të zëvendësojë Kujtim Shalën, nga po i njëjti subjekt. Bardhyl Meta, kandidat nga subjekti politik LDK, do të zëvendësojë Haki Demollin, nga i njëjti subjekt. Milazim Haliti, kandidat nga subjekti LDK, do të zëvendësojë Avdullah Hotin. Synavere Rysha, kandidat nga subjekti politik LDK, do të zëvendësojë Hykmete Bajramin”, tha Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

Kryetarja e KQZ-së, po ashtu ka përmendur edhe emrat e deputetëve të rinj nga komunitetet pakicë. Sipas listës së pritjes, Fikrim Damka, kandidat nga subjekti politik “Kosova Demokratik Tyrk Partisi”, do të zëvendësojë ministrin Mahir Yagcilar. Qerim Bajrami, nga subjekti politik koalicioni “Vakat”, do të zëvendësojë ministrin Rasim Demiri.

Një zëvendësim ka ndodhur edhe në Grupin parlamentar të Vetëvendosjes, ku Faton Topalli do të zëvendësojë Dardan Sejdiun, i cili ka vendosur që të mbajë pozitën e nënkryetarit të Prishtinës. Vendimi i KQZ-së ka ardhur një ditë, pasi vet ky institucion u funksionalizua pas disa muajsh bllokade institucionale. KQZ ka bërë edhe zëvendësimin e disa zyrtarëve komunalë zgjedhorë.

Top Channel