Turqia në rrugë të gabuar prej autoritarizmit të Erdogan

17/12/2014 00:00

Turqia ka kohë që nuk përbëhet më nga lënda, prej së cilës janë bërë shtetet me aspirata legjitime për anëtarësim të shpejtë në BE. Euforia e dikurshme për mundësinë e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, tashmë ka marrë fund në këtë vend.

Por edhe shpresat e krerëve kryesorë të vendeve të BE-së, për qeverinë në një partner të besueshëm në çështjet ekonomike dhe të sigurisë në periferinë juglindore të kontinentit, janë tretur thotë “Deutsche Welle”.

Dymbëdhjetë vjet më parë, kur u zgjodh për herë të parë, Presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan, i ngazëlleu me të vërtetë evropianët, sepse ai konsiderohej si njeriu që më në fund do të realizonte reformat politike dhe ekonomike, për të cilat paraardhësit e tij nga radhët e partive me traditë ishin të paaftë.

Por sot, emri i tij përmendet vetëm në tituj negativë. Në kontinentin e vjetër, Erdogani sot ushqen frikën e një destabilizimi të rrezikshëm të Turqisë. Gjyqësori, aparati i sigurisë, mediat, bota e biznesit, ata të gjithë duhet të bazohen vetëm te dëshirat dhe qëllimet e Presidentit. Kush mendon ndryshe, kritikon apo proteston, pezullohet, arrestohet, internohet në zonat e thella.

Një vend i NATO-s, i cili është edhe një nga anëtarët e parë të Këshillit të Evropës dhe një anëtar themelues i OECD-së, nuk duhet të arrestojë në mënyrë arbitrare kundërshtarët politikë dhe, duke përdorur arsye pa kuptim, t’i mbajë në arrest hetimor, vazhdon analiza e “Deutsche Welle”.

Turqia do të vazhdojë ta humbasë reputacionin e saj, si shtet ku sundon ligj, nëse kundërshtarët politikë burgosen dhe detyrohen që të provojnë pafajësinë e tyre, ndërsa autoritetet e Prokurorisë nuk sjellin prova për veprat e tyre penale.

Top Channel