Rama takon Vuçiç dhe Li Keqiang, marrëveshje mes palëve

17/12/2014 00:00

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në ditën e dytë të samitit të Beogradit mes Kinës dhe vendeve të Evropës jug-lindore është takuar me kryeministrin kinez Li Keqiang, me të cilin ka diskutuar për investimet e bizneseve kineze në Shqipëri.

Më pas, në pallatin Serbija të kryeqytetit serb, Rama takoi homologun serb Aleksandar vuçiç, me të cilin, me një frymë krejt tjetër nga vizita e mëparshme, bisedoi për rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

Mësohet se Rama ftoi Vuçiç të vizitojë Tiranën në muajt mars ose prill, kur do të mbahet një forum ekonomik. Gjatë takimit dy kryeministrat vlerësuan se dy vendet duhet të kenë një bashkëpunim më të mirë dhe të promovojnë në nivel rajonal zhvillimin ekonomik.

Më pas ministrat e Transporteve të dy vendeve, Edmond Haxhinasto dhe Nebojsha Stefanoviç nënshkruan marrëveshjen për njohjen reciproke të patentave të shoferëve.

Më vonë kryeministri Rama takoi edhe biznesmenë kinezë të pranishëm në samit dhe dha disa intervista për mediat serbe.

Takimi i Kinës me vendet e Ballkanit vijoi me takimet bilaterale të ministrave të ndryshëm. Ndërsa të mërkurën do të ketë më tepër aktivitete që i përkasin marrëdhënieve Kinë-Serbi, kur do përurohet një urë e ndërtuar me fondet e Kinës.

Qeveria kineze ka premtuar gjithashtu se veç 10 miliardë dollarëve për rajonin ajo do të ofrojë edhe mundësi të tjera investimi, si në industri dhe bujqësi.

Top Channel