Prostitucioni, si argument për azil në BE

17/12/2014 00:00

Shumë femra shqiptare po deklarohen të shfrytëzuara seksualisht në vendet e BE-së, me qëllim të përfitimit të azilit. Fakti u bë publik nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri gjatë konferencës për prezantimin e strategjisë kombëtare 2014-2017.

“Janë shtuar kërkesat për azil nga njëra anë, por janë ulur në mënyrë drastike pranimi i kërkesave për azil, siç janë shtuar vetëdeklarimet e falsifikuara për me demek viktima të shfrytëzimit seksual. T’ju marr vetëm një rast, në Angli janë vetëm këtë vit 97 për kërkesa ose vetëdeklarime për shfrytëzim seksual. Vetëm 4 janë të vërteta nga 97. Po shfrytëzohen këto shtigje për të bërë të mundur zgjidhjen e problemeve që në themel janë ekonomike, me që nuk mund të zgjidhen me këto instrumente as këtu, por mbi të gjitha në vendet e Bashkimit Europian”, deklaroi Tahiri.

Ministri i Brendshëm shtoi edhe faktin se prindërit shqiptarë po lënë fëmijët e mitur në vendet e BE-së për shkak se këto vende nuk i kthejnë pa mbushur 18 vjeç. Ai bëri apel për të gjithë se do të proçedohen penalisht dhe se kjo është mënyra më e pamundur për të përfituar azil. Lufta ndaj trafikimit, tha Tahiri, nuk është vetëm problem i policisë.

“Unë besoj se nuk ka nder më të madh që mund t’i bëjmë përfaqësuesve të botës së krimit lidhur me trafikimin e qënieve njerëzore, sesa ta konsiderojmë këtë krim një problem vetëm të policisë. Në qoftë se nuk arrijmë të prodhojmë një aksion të përbashkët, i cili i përgjigjet vetëdijes tonë të përbashkët, që e konsideron trafikimin e qënieve njerëzore problem të të gjithëve shoqërisë institucionale e shoqërisë civile, nuk do mund të ecim përpara”, theksoi Tahiri.

Ndërsa ambasadori amerikan në vendin tonë, Alexander Arvizu kërkoi bashkëpunim të organeve për të rritur numrin e proçedimeve penale ndaj trafikantëve.

“Ne shpresojmë që të shohim më shumë bashkëpunim midis hetuesve, prokurorëve dhe sistemit gjyqësor, për të rritur numrin e ndjekjeve penale dhe dënimeve për autorët e trafikimit. Ne shpresojmë të shohim një numër më të madh viktimash të identifikuara dhe të ndihmuara. Kjo është një luftë për të mbrojtur dinjitetin njerëzor. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të mbështesim qeverinë shqiptare dhe shoqërinë civile për të bërë pikërisht këtë gjë”, deklaroi Arvizu.

Ndërsa ministri Tahiri shtoi se mbi 50% e ngjarjeve kriminale me pasojë vdekjen gjatë 2014-s kanë qenë për grindje familjare.

Top Channel