SHBA, Jeb synon të risjellë dinastinë “Bush” në Presidencë

17/12/2014 00:00

Një tjetër Bush mund të pretendojë Presidencën e Shteteve të Bashkuara. Jeb Bush, djali i njërit prej Presidentëve amerikanë, dhe vëllai i një tjetri, nuk mohon se çështjen e kandidimit në zgjedhjet e 2016-s është duke e marrë parasysh, ose e thënë më saktë me fjalët e tij: ka vendosur ta shqyrtojë në mënyre aktive.

Jeb ka qenë guvernator i Floridës, një shtet me rëndësi kyçe në betejën e zgjedhjeve presidenciale, që mbahen një herë në katër vjet. 61-vjeçari njoftoi të martën, në faqet e tij në Facebook dhe Twitter, se gjatë Ditës së Falënderimeve kishte diskutuar mundësinë e hyrjes në konkurrim për emërimin e Partisë Republikane, si kandidat i saj për në zgjedhjet presidenciale.

Duket se aktualisht, ai është duke planifikuar krijimin e një instrumenti për grumbullimin e fondeve, që do t’i lejojë udhëtimin nëpër Amerikë, ku të kontaktojë me votuesit përpara marrjes së një vendimi për të hyrë në garë.

Jeb është vëllai i vogël i ish-Presidentit George W. Bush, i larguar nga posti në vitin 2009, pas dy mandatesh në Shtëpinë e Bardhë, dhe djali i ish-presidentit George H. W. Bush, i cili drejtoi vendin nga 1989-a deri në 1993-shin.

Kandidatët e mundshëm republikanë në garën për nominim brenda partisë janë 12 dhe Jeb konsiderohet një nga favoritët. Sipas Kushtetutës amerikane, Presidenti demokrat Barack Obama nuk kandidon dot më për një mandat të tretë në krye të shtetit.

Top Channel