Vjedhja e BSH, ekspertët dorëzojnë raport-auditin e Emisionit

17/12/2014 00:00

Ekspertët e caktuar nga Prokuroria dorëzuan këtë të mërkurë raport-auditin përfundimtar të kryer në Departamentin e Emisionit për llogari të hetimeve, që po zhvillon njësia “Task Forcë” mbi skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë.

Burimet thanë se në këtë material është dalë me një përfundim të ngjashëm, sikurse edhe konkluzionet e ekspertëve të mëparshëm të bankës, se në Departamentin e Emisionit mungojnë vlerat monetare të 713 milionë lekëve.

Verifikimi i dytë i kërkuar nga Prokuroria konstaton me detaje, se në cilat prej arkave janë vërejtur mungesat e shumave të konsiderueshme. Në Arkën për Veprim – konstatojnë ekpertët, – mungojnë 570 milionë lekë, ndërkohë që në Arkën Stok mungojnë 143 milionë lekë. Çka do të thotë që shuma në total, që është vjedhur në Departamentin e Emisionit, përkon me shifrën e dhënë më herët edhe nga vetë Banka e Shqipërisë.

Të premten pritet të pyetet për herë të fundit Mimoza Bruzia dhe javën që vjen Ardian Bitraj, veprime proceduriale këto që do të kryhen nga prokurorët në prag të mbylljes së hetimit ndaj tyre.

Top Channel