Partia Demokratike reagoi sërish pas ngjarjes së rëndë kriminale në
Tiranë duke thënë se krimi po fiton terren dhe është ai që po vendos
rendin.

Opozita akuzon Kryeministrin Rama që në vend të vendosë policinë në punë sulmon opozitën për akuzat që i bëhen.

“Kur Partia Demokratike shpreh shqetësimin për situatën e përkeqësuar të rendit dhe sigurisë publike, Edi Rama nxjerr zëdhënësin dhe sulmon opozitën. Reagimi i Edi Ramës duhej të ishte kthimi i Policisë së Shtetit në detyrë. Fokusimi i saj tek rendi dhe siguria publike. Por në realitet, policia po urdhërohet të tregojë forcë kundër qytetarëve të pamundur, kundër pronave të ligjshme, kundër të varfërve që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë. Kur policia është e zënë me porositë e shefit të madh; maskat lulëzojnë, vrasjet shtohen, nxënësit shkojnë me armë në shkollë, aksidentet rriten, konfliktet thellohen e zgjidhen me armë mes qytetarëve. Partia Demokratike e denoncon me forcë lënien e rendit në qorrsokak. Ne nuk mund ta lejojmë Edi Ramën të thellojë kursin e tij të papërgjegjshëm, që po sjell pasiguri për jetën. Është detyra e parë dhe me e rendësishme e cdo qeverie. Është pika e parë e kontratës. Braktisja e kësaj detyre, është braktisja e qytetarit”, deklaroi Alban Zeneli, deputet i PD-së.

Top Channel