Udenisht, kundërshtohet prishja e banesave nga INUK

17/12/2014 00:00

Banorët e Komunës Udenisht, e vetmja komunë që është prekur nga prishja e ndërtimeve përgjatë vijës liqenore në Pogradec kanë përshkallëzuar protestën e tyre.

Teksa kanë shprehur revoltë jo vetëm për prishjen e banesave dhe shkatërrimin e bizneseve të tyre, ata kanë bllokuar për disa minuta rrugën Lin-Pogradec. Dhjetra persona janë përplasur edhe me policinë pasi kjo e fundit është përpjekur t’i pengojë për bllokimin e aksit nacional, ndërsa banorët kanë deklaruar se nuk do të dalin nga pronat e tyre pasi vlera e shpronësimit nuk mjafton për t’u siguruar atyre një strehë.

“Jemi 68 familje, kemi zbritur nga fshati në tokat tona. Ka ardhur urdhëri për të prishur shtëpinë. Prona është çmuar me 2 mijë lekë të vjetra metri”, thonë banorët.

Në fazën e dytë të ndërhyrjes së INUK preken 18 objekte të pozicionuara përgjatë vijës liqenore, ndërsa në një fazë të mëtejshme, sipas banorëve, pritet edhe prishja e banesave të banorëve të fshatit Cervenakë.

Top Channel