Nuk realizohen investimet publike, Qeveria rialokon fondet në sektorë të tjerë

17/12/2014 00:00

Qeveria mund të rialokojë një pjesë të fondeve që kishte programuar për investime publike, në disa zëra të tjerë shpenzimesh, për të korrigjuar ecurinë e ngadaltë të tyre.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për 11-mujorin, investimet e buxhetit ishin rreth 8.3 miliardë lekë, ose 83 milionë dollarë më pak se sa plani i parashikuar për këtë periudhë.

Sipas shifrave për gjithë vitin 2014, shifra e programuar për investime në vepra publike është 66 miliardë lekë. Por deri në fund të nëntorit janë realizuar, sipas të dhënave, vetëm 43 miliardë lekë.

Qeveria shpreson që gjatë këtij muaji të ketë një përshpejtim në kryerjen e tyre, për të ngushtuar mosrealizimin, por trendi i 11-mujorit sugjeron se shifra faktike e investimeve mund të rezultojë në fund të vitit mbi 10 miliardë lekë më e ulët se plani.

Me organizimin e ri të qeverisë, monitorimi i ecurisë së investimeve ka kaluar nën përgjegjësine e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Aktualisht, mes kësaj ministrie dhe Ministrisë së Financave po shqyrtohen një sërë opsionesh, se si do të rialokohen fondet e mosrealizuara, ku disa nga variantet janë pagesa për shpronësime apo likujdimi i borxheve të prapambetura ndaj hidrocentraleve private.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i pati kërkuar qeverisë të jetë më aktive në kryerjen e investimeve, për të mos dëmtuar objektivin e rritjes ekonomike për këtë vit. Por sërish kontraktimi i projekteve dhe realizimi i punimeve në terren ka pasur një ecuri më të ngadaltë se programi i buxhetit, çka mund të çojë në një mosrealizim deri në 15 përqind nga plani vjetor.

Top Channel