Hapja e dosjeve, pr/ligji: Komision jashtë politikës

17/12/2014 00:00

Projektligji për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit parashikon ngritjen e një autoriteti kombëtar, i cili do të drejtohet nga pesë përfaqësues, të cilët nuk duhet të jenë pjesë e politikës.

Kandidatët duhet të votohen me shumicë të cilësuar nga Parlamenti dhe duhet të jenë figura të pastra. Zëvendësministrja e Mirëqënies Sociale, Gentiana Sula tha se krijimi i këtij institucioni do të shoqërohet edhe me sekretariatin teknik.

“Çdo qytetar të mund të dijë ç’i ka ndodhur në të shkuarën e vetë. Do t’u jepet akses qytetarëve, por edhe institucioneve kushtetuese nëse do të duan të dinë për të kaluarën e personelit të tyre. Edhe gazetarët duhet të akreditohen për të pasur të drejtat e aksesit, natyrisht pa prekur privatësinë e njerëzve të tretë”, deklaron Sula.

Krijimi i kësaj strukture që do të merret së pari me grumbullimin, sisteminin dhe dixhitalizimin e dosjeve kërkon një faturë të lartë financiare.

“Qeveria do të jetë aty dhe Kuvendi do të vendosë, sepse kjo do të ketë një kosto, qoftë ngritja e këtij komisioni, puna, stafi, etj”, saktëson Sula.

Por ky projektligji do të hartohet sipas ligjeve kushtetuese të Shqipërisë, çka bën që në të të përfshihet edhe lustracioni.

“Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për një ligj të ngjashëm lustracioni të diskutuar në vitin 2008 dhe janë rekomandimet e Komisionit të Venecias për zbatimin e një procesi lustracioni, që nuk është gjueti shtrigash, që eleminon anti-kushtetueshmërinë”, nënvizon Sula.

Ekspertët e Ministrisë së Mirëqënies Sociale po punojnë duke u mbështetur në modelin gjerman të dokumentave të Stazit.

Top Channel