Projektet shqiptare, Haxhinasto: Me kinezët edhe hekurudhat

17/12/2014 00:00

Në një intervistë për Top Channel në Beograd, Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto tregon se me qeverinë kineze dhe përfaqësuesit e kompanive kineze është diskutuar edhe për projektet në zhvillimin e sistemit hekurudhor shqiptar, përveç projekteve të nënshkruara tashmë si “Rruga e Arbërit” për të cilin Haxhinasto i përgjigjet edhe akuzave të opozitës.

TCH: Zoti Ministër, cilat janë përfitimet konkrete dhe kur mund të presim realizimin e projektit të parë nga ky bashkëpunim me Kinën dhe nga ky samit?

Edmond Haxhinasto, Ministër i Transporteve: Mendoj se samiti pati një zhvillim të ri cilësor përsa i takon bashkëpunimit të Kinës me të gjithë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Pati gjithashtu edhe një evolim cilësor edhe sa i takon projekteve konkrete me Shqipërinë. Vetëm një ditë më parë u nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi për programet në përgjithësi dhe duke përfshirë edhe Rrugën e Arbërit në veçanti. Mendoj se jemi në fazën e fundit të marrëveshjes për Rrugën e Arbërit me kompaninë kineze, por kemi gati edhe projekte të tjera për t’i shqyrtuar me kompani serioze kineze. Këtu e kam fjalën për segmente të tjera rrugore, për sistemin hekurudhor, por edhe për projekte të tjera. Në këtë samit u konsolidua edhe mekanizmi që do të shqyrtojë këto projekte dhe u vu re në mënyrë të qartë se vendet janë në gjendje që të paraqesin projekte të përbashkëta me njëri-tjetrin me qëllim që të rrisin atraksionin e tyre për t’u mbështetur sa më mirë nga fondi ekzistues kinez, por edhe nga fondi që do të hapet shumë shpejt pikërisht për këto projekte të rajonit.

TCH: Opozita thotë se këto projekte dhe nënshkrimi i marrëveshjeve janë ide të tyre dhe se qeveria aktuale ka vonuar këto projekte. Cili është komenti juaj?

Ministri Haxhinasto: Në fakt për atë që u diskutua sa i takon Rrugës së Arbërit, mendoj që përgjigjja më e drejtë u dha nga ai dokument zyrtar që ekziston në Ministrinë e Transporteve, ku thuhet qartë që nuk ekziston ekspertiza për të bërë vlerësimin e këtyre projekteve. Pra është e qartë që opozita mund ta shohë në mënyrë konstruktive atë që duhet bërë dhe të shkaktojë destruktivitet dhe të nxjerrë në pah defektet që ka lënë në arkivën tonë.

Top Channel