“Kapitull i ri marrëdhëniesh SHBA-Kubë”. Obama jep lajmin pas lirimit të të burgosurve

17/12/2014 00:00

Lirimi i të burgosurve ka shënuar shkrirjen e akujve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, me vetë presidentin Barack Obama që ka folur për “një kapitull të ri” në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Presidenti amerikan ka njoftuar nisjen e lëvizjeve për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike, duke theksuar se, ky kapitull përbën ndryshimin më thelbësor në politikën e Shteteve të Bashkuara kundrejt Kubës në 50 vjet.

“Këto masa do t’i japin fund një qëndrimi të dalë jashtë mode e që për dekada ka dështuar në avancimin e interesave tona”, ka thënë Obama.
Edhe presidenti kubanez Raul Castro e ka përshëndetur lëvizjen në një fjalim televiziv, ku ka njohur popullin me marrëveshjen.

Raul, vëllai i vogël i Fidel Castro, ka thënë se këto ndryshime ishin diçka për të cilën Kuba luftonte prej shumë kohësh.

“Që nga zgjedhja ime kam përsëritur në disa raste gatishmërinë tonë për të mbajtur një dialog me respekt të ndërsjellë me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, bazuar në sovranitetin dhe barazinë mes dy vendeve”, ka thënë Castro.

Më herët Shtetet e Bashkuara dhe Kuba finalizuan një marrëveshje që
parashikonte shkëmbimi e të burgosurve, konkretisht amerikanit Alan
Gross dhe tre kubanezëve.

Lajmin e bëri të ditur administrata amerikane. Gross, 65 vjeç, kishte kaluar pesë vjet prapa hekurave pasi u akuzua për aktivitete armiqësore në ishullin komunist.

Ai u largua nga Kuba këtë të mërkurë në bordin e një avioni të qeverisë amerikane pasi u lirua për çështje humanitare, tha një zyrtar amerikan për “Associated Press”.

Arrestimi dhe burgosja e tij kishin minuar përpjekjet për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Burimet thanë për agjencinë e lajmeve se tani SHBA dhe Kuba do të rinisin bisedimet për normalizimin e tyre dhe madje Uashingtoni po shqyrton mundësinë e hapjes së një ambasade në Havana në muajt e ardhshëm.

Nga ana tjetër, tre kubanezët e liruar në Shtetet e Bashkuara janë pjesë e të ashtuquajturve Pesëshja Kubaneze, e dënuar për spiunazh.

Prokurorët deklaruan se të pestë këta persona ishin përpjekur të infiltroheshin në bazat ushtarake amerikane dhe të spiunonin kubanezët e strehuar në Florida. Më herët, dy prej tyre ishin lejuar të ktheheshin në Kubë pasi kishin përfunduar dënimin e tyre.

Ndërsa Gross, gjendja shëndetësore e të cilit po degradonte, ishte dënuar me 15 vjet burg për kryerjen e “akteve kundër integritetit të shtetit”.

Puna e tij për mundësimin e aksesit në internet për një komunitet lokal përfshinte importimin e një sateliti, pajisje që konsiderohet e paligjshme në Kubë.

Autoritetet kubaneze i konsideruan aktivitetet e tij si maskimin e një përpjekjeje për ndryshimin e regjimit në ishull, edhe pse Uashingtoni protestoi për pafajësinë e tij.

Top Channel