Pakistan, Sharif: Do ta shfarosim terrorizmin

17/12/2014 00:00

Kryeministri i Pakistanit është zotuar se do të shfarrosë terrorizmin në vendin e tij, një ditë pasi sulmi i talebanëve në një shkollë të Peshauarit i mori jetën 141 personave, shumica e të cilëve fëmijë.

Këtë qëndrim Nawaz Sharif e bëri publik pas një seance bisedimesh me partitë politike mbi masakrën e së martës.

Persona të armatosur hynë nga klasa në klasë duke qëlluar ndaj studentëve, duke shënuar kështu një nga sulmet më fatale të guerrilasve talebanë.

Nga ana tjetër, edhe presidenti afgan është shprehur i gatshëm t’i bashkohet këtyre përpjekjeve. “Ka ardhur koha që ky vend të bashkëpunojë me Pakistanin për të luftuar ekstremizmin”, tha ai.

Ashraf Ghani deklaroi se dy vendet duhet të ndërmarrin “aksione të përbashkëta efikase”, pas një takimi me komandantin e ushtrisë pakistaneze në Kabul.

Ndërkohë, një video e re me pamjet e sulmit, e publikuar nga një grup i BBC që hyri në vendin e ngjarjes, tregon shkallën e brutalitetit të sulmit, pellgjet e mëdha të gjakut që në dyshemetë e klasave, si dhe shenjat e plumbave nëpër mure.

Grupi i talebanëve pakistanezë mori përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi, në një shkollë të administruar nga ushtria, në shenjë hakmarrjeje ndaj operacioneve të kësaj të fundit në disa zona të vendit.

Kryeministri Sharif deklaroi se Pakistani mbetet i bashkuar për të siguruar se vdekjet e atyre fëmijëve nuk do të jenë të kota.

“Në çdo aksion kundër militantëve nuk do të bëhen dallime mes talebanëve të mirë dhe atyre të këqinj. Ne do të vazhdojmë luftën kundër terrorizmit derisa të kemi eleminuar dhe terroristin e fundit”, tha Sharif.

Top Channel