Milena, buzëqeshja që ia kthen dhimbjen në forcë

17/12/2014 00:00

Të gjithë bien dakord. Buzëqeshja ngjitëse e Milena Bekteshit s’të le për asnjë minutë të kuptosh sakrificat prej heroine që vejusha 34-vjeçare bën çdo ditë për familjen e saj.

Dhjetori i gjashtë viteve më parë e gjeti Milena Bekteshin një nënë të lumtur dhe një bashkëshorte të pikëlluar. Pikërisht ditën kur erdhi në jetë engjëlli i saj i vogël, Aroni, dashuria e jetës së saj, Genti, u ngjit lart në qiell.

Një atak kardiak në gjumë ndërpreu martesen vetem 2-vjeçare të Milenës e Gentit, dy të rinjve që sapo kishin filluar të zgjeronin strehën e tyre të dashurisë.  

Një humbje e madhe për Milenën që atëherë ishte vetëm 28 vjeç, për Dean 11-muajshe dhe për Aronin që s’e takoi kurrë të atin.

Një humbje nga e cila me shumë forcë ruajti buzëqeshjen, një çelës magjik që e shpëton sa herë tërhiqet nga humnera e dhimbjes.

Një çelës që u sjell lumturinë fëmijëve të saj. Një çelës që ia sugjeron çdo personi që ka pësuar një humbje të tillë: Vetëm një buzëqeshje në ditë.

“Është një hap i vogël jo për të kaluar, por për të menaxhuar dhimbjen. Dhimbja që nuk kalohet sjell gjëra shkatërruese për një vejushë. Me shokun e jetës kisha plane, qëllime dhe në momentin që ndodhi humbja isha mes dy zgjedhjeve: do të jetoja më apo jo. Nuk duhet të mendosh për humbjen, por për përgjegjësitë e reja që të vijnë”, tha Milena në studion e ‘Pasdite në Top Channel’.

Top Channel