Prishtina nis punën për Gjykatën Speciale

17/12/2014 00:00

Institucionet e reja të Kosovës kanë nisur menjëherë përgatitjet e nevojshme për të qenë të gatshme që në fillim të vitit të ardhshëm të formojnë Gjykatën Speciale, e cila do të gjykojë pretendimet për krimet e supozuara të luftës të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, zonjën Federica Mogherini, të cilës i ka thënë se institucionet e reja janë të angazhuara për të përmbushur përgjegjësitë dhe detyrimet që lidhen me formimin e Gjykatës Speciale.

Deri në krijimin e plotë të gjykatës, Kosova duhet të bëjë ndryshime ligjore dhe Kushtetuese, ndërkohë që edhe Bashkimi Evropian po ashtu duhet të sqarojë çështje që kanë të bëjnë me vendndodhjen e gjykatës dhe financimin e saj.

Për shkak të zgjedhjeve të parakohshme te mbajtura në qershor në Kosovë, proçedurat për krijimin e këtij institucioni janë rikthyer në pikën zero dhe tani Ministria e Drejtësisë po punon për ndryshimin e ligjit për gjykatat dhe për amendamentet kushtetuese të cilat do të miratohen në qeveri, pastaj në Gjykatën Kushtetuese dhe në fund në Kuvend.

Të gjitha ndryshimet në legjislacion dhe Kushtetutë Kosova duhet t’i kryejë deri në mesin e muajit janar. Kjo, pasi ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të takohen në fund të këtij muaji në Bruksel për të diskutuar dhe për t’i dhënë miratimin krijimit të Gjykatës Speciale dhe për t’i dhënë asaj buxhet e logjistikë.

Por deri atëherë, ekipi evropian që po merret me krijimin e Gjykatës Speciale duhet që të arrijë marrëveshje me shtetin ku pritet të vendoset Gjykata Speciale, që është Holanda.

Burime të Top Channel në Prishtinë bëjnë të ditur se autoritetet në Holandë kanë dilema lidhur me statutin aktual të Gjykatës Speciale, i cili sipas përkufizimit thotë se ky institucion është i Kosovës.

Por autoritetet holandeze vlerësojnë se nuk mundet që një shtet sovran të krijojë një Gjykatë Speciale në një shtet tjetër. Ndaj, ata po kërkojnë që gjykata të themelohet si Gjykatë Ndërkombëtare sipas modelit të asaj të Hagës.

Megjithatë, në rast se në fund të bisedimeve BE-Holandë kjo e fundit pajtohet që Gjykata Speciale të vendoset atje, atëherë nevojitet po ashtu një marrëveshje ndërkombëtare mes Parlamentit kosovar dhe atij holandez.

Top Channel