Festat e fundvitit, debate për zbukurimin e Prishtinës

17/12/2014 00:00

Në prag të festave të fundvitit, në Prishtinë ka shpërthyer debati nëse do të zbukurohet ose jo qyteti, pasi  komuna e Prishtinës ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Ky debat filloi për arsye se nga administrata e kaluar ishte bërë traditë që qyteti të zbukurohej me drita që nga data 28 Nëntor, për festën e flamurit.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu Bejta sqaroi për Top Channel arsyen pse komuna nuk ka zbukuruar ende qytetin.

“Arsyeja është se sivjet koncepti dallon nga vitet e tjera. kemi organizuar të gjitha aktivitetet e tjera dhe të gjitha janë bërë paralelisht, në mënyrë që të jemi gati për festat e fundvitit”, deklaroi Bejta.

Zëdhënësja tha se tenderi është mbyllur të martën dhe qyteti do të zbukurohet në fundjavë. Por, në dallim nga vitet e tjera, buxheti prej 80 mijë eurosh i trashëguar nga administrata paraprake nuk do të shfrytëzohet vetëm për dekorimin e qytetit.

“Dekorimi i qytetit nuk do të mungojë, ai do të jetë gati për festa. Prishtina do të zbukurohet me drita, dekorime dhe bredha. Kjo do të bëhet në fundjavë. Në buxhet janë planifikuar 80 mijë euro, por jo të gjitha këto do të shkojnë për zbukurime pasi janë përgatitur edhe aktivitete të shumta, në mënyrë që t’u ofrojmë një shumëllojshmëri sa më të gjerë qytetarëve të Prishtinës”, saktësoi Bejta.

Ndërkohë, reagimet në opinionin publik kanë qenë të shumta, sidomos në rrjetet sociale ku është shprehur pakënaqsia për mungesën e zbukurimeve si çdo vit. Lidhur me faktin se ende nuk është zbukuruar qyteti ka reaguar Don Jeton Thaçi, një ndër priftërinjtë e katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

“Nëse Shpendi nuk e bën ndriçimin e qytetit para Krishtlindjeve, atëherë e bëjmë ne pa tender, por me vullnetarë, ashtu siç bëhej dikur tek sheshi “Nënë Tereza” në Klinë”, ka shkruar Don Jeton Thaçi në Facebook.

Edhe ish-drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Vlora Dumoshi përmes rrjetit social ka rikujtuar qytetarët se gjatë mandatit të tyre Prishtina është zbukuruar që nga data 28 Nëntor.

“Në periudhën 2010-2014 festat e fundvitit kanë filluar më 28 nëntor dhe deri në fillim të janarit gjithë qyteti ka qenë i dekoruar”, ka shkruar Dumoshi.

Këtyre zërave Komuna e Prishtinës i jep përgjigje duke sqaruar paralajmërimet për aktivitete të shumta, të cilat sipas zëdhënëses do të fillojnë nga data 25 dhjetor, ndërsa zbukurimi do të fokusohet në qendër të qytetit.

Top Channel