Marin Mema: Çmimi, motivim më shumë për të sjellë të vërtetën

17/12/2014 00:00

Marin Mema, fituesi i çmimit “Gazetari i Vitit”, deklaroi në studion e ‘Pasdite në Top Channel’ se vlerësimi që mori nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë do e bëjë që të mundohet më shumë “për të sjellë zërin e njerëzve që nuk kanë mundësi të tregojnë historitë e tyre”.

“Ky ka qenë misioni im i përhershëm dhe jam përpjekur ta bëj pa ndikime. Tashmë kam një detyrim plus. E ndaj çmimin me stafin tim”, tha autori i programit “Shqipëria Tjetër”.

Mema shtoi: “Problemet janë të pafundme. Stafi ynë përpiqet t’i shkojë në thelb këtyre problemeve. Për fat të keq jemi ende te probleme si mungesa e ushqimit apo shëndetësia. Unë kam pasur mundësinë t’i sjell këto probleme me lehtësi, çka nuk është e lehtë ta bësh në media të tjera. Në këto raste gazetari ndihet shumë mirë.”

Kur u pyet për reportazhin që i kishte lënë më shumë mbresa, gazetari tha: “Rasti i fshatit Malëbardhë. Ai reportazh tregon vlerën e madhe që gëzojmë ne shqiptarët: tolerancën fetare. Vendi ynë ka histori të jashtëzakonshme, jo vetëm dhimbjeje. Është mirë që të sillen dhe njerëzit t’i kuptojnë këto histori.”

Top Channel