Shpresa e (pa)humbur e Nikolin Kurtit

17/12/2014 00:00

Kush i njeh ata thotë se ku shihje njërin ishte e pamundur të mos gjeje rreth e rrotull tjetrin. Nikolin dhe Shpresa Kurti s’ndaheshin kurrë. Madje edhe ditëlindjet i festonin në të njëjtën ditë që kur u martuan në korrikun e vitit 1978.

Kishin vetëm tre ditë diferencë mes njeri-tjetrit dhe në kohën kur u njohën të dy punonin në Lushnjë.

Nikolini sapo kishte mbaruar kiminë industriale dhe kishte filluar punë në fabrikën e plastmasit në Lushnjë, ndërsa Shpresa sapo ishte punësuar si juriste pranë gjykatës së po këtij qyteti.

Treni që i sillte çdo ditë nga Tirana ishte kthyer dalëngadalë dhe në udhëtimin e tyre të dashurisë, fryt i të cilëve ishte edhe Darjeni dhe Terensi, dy djemtë e çiftit të njohur, rritja e të cilëve i bëri akoma më të afërt e më të dashur për njëri-tjetrin.

Krah për krah ecnin dhe në rrugën e suksesit. Të dy ngjiteshin në majat e karrierës, ai si specialist e më pas si politikan, ndërsa ajo si themeluese e noterisë shqiptare. Plot 36 vjet martese të mbushura me dashuri, punë e sakrifica që u ndërprenë në mes vetëm 3 muaj më parë.

Një trombozë që e mbërtheu në kthetrat e vdekjes një ditë para se të linte profesionin e të gëzonte pensionin me Nikolinin.

Këtë janar, Shpresa do të mbushte 64 vjeç. Një ditëlindje që për herë të parë pas 36 vitesh, do festohet veç.  

Top Channel