Altin Basha: Toleranca fetare, krenari e ligjshme e kombit tonë

17/12/2014 00:00

Altin Basha, regjisori i mbrëmjes gala të organizuar nga Top Channel dhe Fondacioni Mediatik Dritan Hoxha, zbuloi për ‘Pasdite në Top Channel’ detaje të tjera në lidhje me shfaqjen që do të nisë mbrëmjen e sotme në orën 20:00.

“Tema e këtij viti është toleranca, në këndvështrimin tonë si një gjendje e natyrshme e kombit shqiptar, si një pjesë e asaj që ne duhet ta quajmë një krenari të ligjshme që ne e mbajmë me vete dhe duhet ta kultivojmë. Shkaku për këtë ka qenë rasti i fshatit Malëbardhë, ku komuniteti mysliman atje ka ndërtuar kishën e pakicës katolike. Kjo e parë edhe më gjerë në të gjithë traditën tonë historike. Kjo temë vjen te publiku nëpërmjet shkrimtarëve të njohur si Besnik Mustafaj, Mustafa Nano, Kim Mehmeti etj. Të gjithë këta autorë kanë përcjellë mesazhet e tyre që do të interpretohen nga aktorë të skenës shqiptare, kosovare dhe maqedonase”, deklaroi Altin Basha.

Regjisori shtoi: “Do të ketë materiale muzikore të trajtuara në mënyrë të veçantë nga orkestra e madhe e TKOB-së nën drejtimin e Alqi Lepurit. Do të ketë kompozitorë mjaft të njohur si Endri Sina dhe Thoma Gaqi, të cilët kanë orkestruar këngë nga më të bukurat e muzikës së lehtë shqiptare. E gjitha kjo nën moderimin e personazheve të veçantë: Ledion Liço, Sokol Balla, Alban Dudushi, Monika Stafa, Genta Popa dhe Rudina Xhunga.”

“Kjo është një iniciativë e Fondacionit Mediatik Dritan Hoxha dhe imazhi i këtij fondacioni që është një shenjë e lëvizjes së shpejtë është i shpërndarë i gjithi në skenografinë e spektaklit”, shpjegoi regjisori.

Top Channel