Kukës, arrestohen 4 drejtues të Ujësjellës-Kanalizimeve, abuzuan me fondet publike

17/12/2014 00:00

Policia e Kukësit ka vënë në pranga 4 drejtues të Ujësjellës-Kanalizimeve, ndërsa një i pestë është shpallur në kërkim, të cilët akuzohen se kanë abuzuar me fondet e investimit publik në shumën prej 4.3 milionë euro për ndërtimin e ujësjellësit të qytetit të Kukësit, ku si pasojë e abuzimeve dhe moszbatimit korrekt të këtij projekti, qyteti i Kukësit edhe pas këtij investimi rezulton të mos ketë ujë të pijshëm.

Të arrestuarit janë Guri Aliaj, me detyrë drejtor i zbatimit të projekteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë; Zeqir Isaku dhe Halil Beta, te dy inxhiniere prane kesaj drejtorie; si dhe Gazmend Muçaj, me detyrë përfaqësues ligjor i studios së projektimit “MEGA–STUDIO” dhe supervizor i punimeve.

Ndërsa është shpallur në kërkim Ramadan Bunçi, me detyrë drejtues tenik i shoqërise “GENER-2- ALBSTAR”.

Për këta persona Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka vendusr masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të “falsifikimit të dokumentave zyrtarë të kryer në bashkëpunim”, duke sjellë si pasojë një dëm ekonomik shtetëror prej 4.3 milionë eurosh.

Prej këtij abuzimi, një nga më të rëndët në qytetin veri-lindor, Kukësi nuk furnizohet më me ujë. Ujësjellësi ishte një nga premtimet elektorale të zgjedhjeve të vitit 2009, por që në fund rezultoi tërësisht jashtë funksionit.

Banorët e Kukësit kishin më shumë ujë me rrjetin e vjetër të ujësjellësit dhe pas ndërtimit të të riut furnizimi u ndërpre. Kryebashkiaku i Kukësit shpesh herë ngulmoi pranë Ministrisë së Transporteve dhe prokurorisë për të zbardhur atë që ai e cilësonte vjedhjen më të madhe të kryer në këtë qytet.

Top Channel