Arrestohet “banda e babagjyshëve”, përgjegjëse për një seri grabitjesh

17/12/2014 00:00

Policia mundi të arrestojë ‘babagjyshët’ e grabitjes së para një viti në një qendër tregtare në Tirane, si edhe identifikoi 8 pjesëtarët e grupit kriminal.

E ndërsa Ilir Kupa, aktualisht i dënuar me 5 vjet burgim do t’i presë akuzat për grup të strukturuar kriminal nga burgu, bashkëpunëtorët e tij,  që të gjithë të rinj me të shkuar të pasur kriminal nuk kanë qenë aspak surprizë as për policinë dhe as për prokurorinë.

Kjo pasi ata prej muajsh po gjurmoheshin e survejoheshin në bazë të një serie dosjesh të pazbardhura, ku më të rëndat janë grabitjet me maska të 5 argjendarive, jo vetëm në qytete të ndryshme të vendit, por edhe në Maqedoni.

E ndërsa grupi prej 8 anëtarësh e mori emrin “babagjyshët” për shkak të grabitjes 200 mijë euroshe në një qendër tregtare në Tiranë, duket se maska të tjera prisnin të visheshin prej tyre për ngjarjet e radhës.

Burimet thanë se Agustin Sula, i kapur në Tiranë, ka deklaruar se ai është njëri nga ‘babagjyshët’, rrëfim i cili me sa duket është tepër i vonuar për të, pasi provat janë të pakundërshtueshme ndaj tyre.

“Agustin Sula, 25 vjeç, banues në Durrës, i  dënuar më parë me 23 vjet heqje lirie për veprën penale të vjedhjes me armë me pasojë plagosjen e dy shtetasve në Durrës si dhe i dënuar në Greqi për vjedhje me armë. Hajdar   Sefa,  30 vjeç,  banues në Krujë, i dënuar më parë për vepra penale ndaj jetës dhe shëndetit. Ndërkohë një tjetër pjesëtar i grupit, Ilir Kupa, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë në Greqi për vepra të rënda kriminale, është arrestuar më parë nga policia dhe aktualisht ndodhet në burg prej muajit janar të këtij viti. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Kupa ka qenë edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal. Janë shpallur në kërkim pjesëtarët e tjerë të grupit  kriminal , të cilët janë banues në Tiranë, Shkodër, Kurbin dhe njëri në Borizanë të Fushë Krujës, i dënuar më pare për vjedhje”, deklaroi nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato.

Njëri nga anëtarët e grupit, i quajtur Miljan Elezi apo Artur Tafani, deklarohet se është vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit në një grabitje tjetër të gati 18 kg flori në Dibër të Madhe. I arrestuari i orëve të fundit nga policia është Julian Qerushi, edhe ky i dënuar më herët për vjedhje.

“Ky grup kriminal gjatë viteve 2013 dhe 2014 ka kryer këto vjedhje:
– Më datë 28.9.2013 kanë grabitur me armë në qytetin e Kuçovës një argjendari në pronësi të shtetasit me inicialet A.B.
– Më datën 5.11.2013 në qytetin e Laçit kanë grabitur me armë argjendarinë dhe kanë plagosur pronarin, i cili është shtetasi me inicialet S.R.
– Më datën 25.11.2013 në qytetin e Fushë Krujës kanë grabitur me armë një tjetër argjendari në pronësi të shtetasit me inicialet P.B.
-Më datën 24.12.2013 kanë vjedhur me armë një argjendari në një qendër tregtare në kryeqytet. Në datën 30.4.2014, në Strugë kanë grabitur me armë një argjendari.
-Më datën 29.7.2014 në Dibër të Madhe, Maqedoni, kanë grabitur me armë një tjetër argjendari” deklaroi Qato.

Në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri, duke përgëzuar policinë për arrestimin e grabitësve që morën famë si “babagjyshat e vitit të ri”, shton se ‘po ikën koha e të ikurve në drejtim të paditur’.

Ndërkohë që ministri i Brendshëm komenton :  “Babagjyshat? Një tjetër rezultat që dëshmon se Policia e Shtetit është plotësisht në krye të detyrës! Kush merr guximin të bëjë krim, duhet të presë ditën për të dalë para drejtësisë. Shqipëri e sigurt, bashkë me qytetarët e ndershëm. Bravo!”, shkruan ministri Tahiri. 

Top Channel