PE: Opozita të kthehet në Kuvend. Palët të dekriminalizojnë Parlamentin

17/12/2014 00:00

Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan janë tashmë zyrtarisht të besuarit e dy grupimeve të mëdha politike në Parlamentin Europian, S&D dhe PPE, për të ndihmuar shumicën në pushtet dhe opozitën që të rivendosin dialogun politik dhe të bëjnë marrëveshje, pas “ngërçit” dhe “bojkotit parlamentar të Partisë Demokratike në opozitë”.

Ashtu siç ishte lajmëruar më parë nga TCH, socialdemokrati gjerman Fleckenstein dhe i djathti sllovak Kukan publikuan deklaratën e përbashkët, të reduktuar në vetëm dy pika kryesore, pas mëse një javë negociatash dhe përfshirjes insistuese të kreut të PPE-së, Daul, ku flitet vetëm për “kthimin e opozitës në Parlament” dhe për një “proces që çon drejt dekriminalizimit të Parlamentit dhe institucioneve të tjera publike”.

“Anëtarët e Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan janë pajtuar për të bashkëpunuar dhe për të mbështetur udhëheqësit politikë respektiv në Tiranë për të gjetur një zgjidhje ndaj ngërçit të fundit dhe për të krijuar një marrëveshje bashkëpunimi brenda kuadrit kushtetues dhe të institucioneve publike. Të dy anëtarët e Parlamentit Europian do të takojnë udhëheqësit politik shqiptarë në Tiranë gjatë ditëve në vijim me të njëjtin mesazh: Inkurajohet opozita për t’u kthyer në Parlament, duke rivendosur dialogun politik dhe pjesëmarrjen në punën parlamentare. Inkurajohen të gjitha partitë politike të angazhohen në procesin që çon drejt dekriminalizimit të Parlamentit dhe institucioneve të tjera publike”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe nga drafti paraprak që bënte fjalë për “një projektligj të përpiluar nga PD dhe të votuar me konsensus brenda 6-mujorit të parë të 2015”, deklarata përfundimtare thekson nisjen e një “procesi për dekriminalizimin e institucioneve publike” dhe jo më vetëm të Kuvendit, dhe ende nuk dihet nëse ky “proces” do të përfshijë ose jo ndryshime kushtetuese e institucionale, apo shqetësime të tjera të opozitës.

Deklarata e përbashkët konfirmon vizitën njëditore të Fleckenstein të enjten më 18 dhjetor deri të premten, 19 dhjetor, ndërsa pasohet nga Eduard Kukan të dielën, më 21 dhjetor, për t’u larguar të nesërmen nga Tirana, vetëm dy ditë përpara mbajtjes së seancës së fundit plenare. Vizitat individuale bëhen për motive të mospërputhjes së agjendave respektive, siç mësohet pranë zyrave të dy eurodeputetëve.

Kjo është hera e dytë që Parlamenti Europian përfshihet për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri, pas dështimit në 2010 me të famshmen darkë në restorantin “Krokodil” të Strasburgut.

Në krye të deklaratës së përbashkët, grupet kryesore politike europiane konfirmojnë “mbështetjen e vazhdueshme për integrimin europian të Shqipërisë” dhe se “ndjejnë përgjegjësi për këtë proces”, por duke përfshirë dhe pasazhin e konkluzioneve të Këshillit të BE-së se, “një dialog i qëndrueshëm konstruktiv politik është jetik për procesin e anëtarësimit të vendit”.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel