Është mbyllur me asgjë të re raundi i parë i votimit për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës në Greqi.

Kandidati qeveritar Stavros Dhimas ka siguruar vetëm 160 të preferencave nga 200 që janë të nevojshme që ai të zgjidhet në krye të shtetit.

Votat kundër tij kanë qenë 135 dhe pjesa e mbetur abstenim, raportojnë agjencitë helene të lajmeve në edicionet e tyre online.

Dhimas, 73 vjeç, është anëtar i partisë Demokracia e Re e kryeministrit aktual të Greqisë Andonis Samaras, si dhe ish-komisioner në radhët e Komisionit Evropian.

Dështimi i këtij raundi afron gjithnjë e më shumë opsionin e zgjedhjeve politike të parakohshme, të cilave u druhen shumë Bashkimi Evropian dhe tregjet financiare ndërkombëtare.

Komisioneri i Financave të BE, Pier Moskovisi, që vizitoi Athinën pak ditë më parë për të diskutuar mbylljen e programit të ndihmës, deklaroi pas takimit me kryeministrin Samaras se do të ishte negative për Greqinë rikthimi i mundësisë së daljes së saj nga eurozona, i ashtuquajturi “Grexit”.

“Mendoj se janë bërë kaq përpjekeje të mëdha nga autoritetet greke, kaq përpjekje nga populli grek. Pra, janë bërë shumë gjëra, të cilat janë të suksesshme edhe pse janë të dhimbshme. Ato kanë dhënë tashme frytet e tyre. Do të ishte për të ardhur keq nëse do t’i humbisni kot tani”, deklaroi Moskovisi.

Ndërsa sipas “New York Times”, skenari më i mirë për Greqinë, nëse ajo shkon në zgjedhje të parakohshme, është zëvendësimi i kryeministrit Samaras, pasi sipas gazetës, lëvizjet e fundit të tij kanë destabilizuar tregjet. 

Top Channel