Dortmundi dhe Volfsburgu e mbyllin në barazim, përfiton Bajerni

18/12/2014 00:00

Duket se Dortmund e ka mjaft të vështirë të kalojë krizën në kampionat. Edhe në ndeshjen e kësaj jave, të luajtur mbrëmjen e së mërkurës në shtëpi ndaj Volfsburgut, ata nuk mundën dot të merrni tri pikët.

Pavarësisht pozitave në klasifikim, Dortmundi besoi te fitorja në këtë 90 minutësh duke krijuar raste të shumta për shënim, por edhe miqtë që renditen të dytën nuk qëndruan pas, me anë të kundërsulmit, me belgun  Kevin de Bruyne ata ishin mjaft të rrezikshëm.

Pierre-Emerick Aubameyang ishte autor i golit të parë në minutën e 8, i cili u barazua që në pjesën e parë nga de Bruyne.

Edhe pjesa e dytë nisi me një ritëm mjaft të lartë nga të dyja ekipet, ku te vendasit ra në sy italiani, Ciro Immobile që zhvilloi një ndeshje fantastike. Në minutën e 76 ai shënoi duke e kaluar Dortmundin në avantazh, njëkohësisht duke i rikthyer buzëqeshjën trajnerit Klopp, por që zgjati shumë pak, pasi Naldo barazoi gjithçka në minutën e 85-të.

Nëse kjo do të ishte java e fundit në Bundesligën gjermane, atëherë Dortmundit do t’i duhej të luante në ‘play off’ për të qëndruar mes më të mirave në Gjermani, por kjo ishte vetëm java e 16-të dhe janë edhe 18 të tjera për t’u luajtur, të cilat mund të ndryshojnë shumë në renditje. Por diçka duket se është e vështirë të ndryshojë në Bundesiligë këtë sezon, vendi i parë në renditje. Bajerni kryeson me 42 pikë me një diferencë prej 11 pikësh nga Volfsburgu i vendit të dytë.  

Top Channel