Kuba i kërkon SHBA të heqë embargon e tregtisë

18/12/2014 00:00

Presidenti i Kubës Raul Castro i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara t’i japin fund embargos së tregtisë pas hapjes së bisedimeve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Ai tha se embargoja prej 5 dekadash ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. Por të drejtën për heqjen e embargos e ka vetëm Kongresi dhe BBC shkruan se republikanët janë kategorisht kundër zhvillimeve të fundit midis dy shteteve, megjithëse ekziston shpresa se Obama mund të ‘luftojë’ për të kaluar legjislacionin.

Të mërkurën, Presidenti amerikan Barak Obama dhe Raul Castro ranë dakord për ndryshim madhor në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kubën, pasi udhëheqësit komunistë liruan amerikanin Alan Gross, që kishte qenë  burgosur atje për pesë vjet.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës janë ngrirë që nga fillimi i viteve 1960, kur SHBA ndërpreu marrëdhëniet diplomatike dhe vendosi një embargo tregtare pas revolucion në Kubë.

Obama foli për “një kapitull të ri” në marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti amerikan ka njoftuar nisjen e lëvizjeve për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike, duke theksuar se, ky kapitull përbën ndryshimin më thelbësor në politikën e Shteteve të Bashkuara kundrejt Kubës në 50 vjet.

“Këto masa do t’i japin fund një qëndrimi të dalë jashtë mode e që për dekada ka dështuar në avancimin e interesave tona”, ka thënë Obama.

Top Channel