Kelmendi: Nder të marr çmimin “Dritan Hoxha”. Do të përfaqësoj Kosovën

18/12/2014 00:00

Përballë Kampiones së Botës në xhudo, çdo çmim duket pak, por Majlinda Kelmendi ndjehet e shpërblyer sepse nderimet i vijnë si përfaqësuese e shqiptarëve. Pasi u shpall këtë javë sportistja më e mirë në botë nga Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Majlinda Kelmendi mori edhe çmimin “Dritan Hoxha 2014”, të akorduar nga Fondacioni me të njëjtin emër, për arritje të shkëlqyera në sport duke ngritur lart sportin dhe emrin shqiptar.

Fituesja e medaljeve të arit, edhe pse ka punuar shumë, thotë se nuk e kishte imagjinuar se do të mbërrinte kjo ditë: “Në përgjithësi, viti 2014 ka qenë vit jashtëzakonisht i suksesshëm për mua. Ka qenë viti më i suksesshëm në karrierën time. Cmimi që mora nga Fondacioni “Dritan Hoxha” do të thotë shumë për mua sepse unë në çdo garë që marr pjesë përfaqësoj gjithë shqiptarët dhe këtë e potencoj gjithmonë, e jo vetëm Kosovën, përderisa jam shpallur xhudistja më e mirë në botë. Ka qenë një ditë e jashtëzakonshme duke marrë parasysh që në Prishtinë ka ardhur kryetari i Federatës Botërore të ma dorëzojë këtë çmim. Nëse dikush para 2 vitesh do më kishte thënë që kjo do të ndodhte, nuk do të mund ta besoja, kështu që ende nuk mund ta besoj që kjo është realitet, që kjo po më ndodh mua sepse në xhudo konkurrenca është jashtëzakonisht e fortë.”
 
23-vjeçarja nga Peja është Kamione Bote në xhudo në kategorinë 52 kg. Rruga deri te titulli kampion në Rio de Zhaneiro në vitin 2013 nuk ka qenë e lehtë. Me xhudo ka filluar të merret në moshën 8-vjeçare si shumë bashkëmoshatarë në qytetin e lindjes me trajnerin  Driton Kuka, i cili që prej asaj kohe qëndron pas çdo suksesi të saj dhe jo vetëm. Ai e ka ndihmuar edhe në ditët e vështira të ofertave joshëse nga vendet e tjera. Kelmendi pranon se është tunduar, por kurrë nuk është penduar që ka zgjedhur të qëndrojë në Kosovë.

“Më kanë ofruar miliona dhe realisht nuk ka qenë vendim shumë i lehtë, për arsye se në fillim më është dukur që në Kosovë këto oferta që m’i kanë bërë shtetet tjera nuk i kanë marrë shumë seriozisht dhe për një moment unë kam menduar që më e mira është që unë të pranoj atë ofertë dhe të shkoj të përfaqësoj një shtet tjetër. Mirëpo, ka qenë trajneri im i cili ka këmbëngulur gjithë kohën që unë të qëndroj në Kosovë dhe përfundimisht kam zgjedhur të përfaqësoj Kosovën dhe në asnjë moment të jetës time nuk jam penduar për vendimin që kam marrë sepse Kosova është shteti im, ka nevojë për promovim”, tha Kelmendi.
 
Synimi i Majlinda Kelmendit, si ai i çdo sportisti, janë Lojërat Olimpike. Pasi përfaqësoi Shqipërinë, pas njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ajo së bashku me sportistë të tjerë do të përfqësojnë Kosovën me simbolet dhe flamurin shtetëror në “Rio 2016”. E njohur për modestinë, Majlinda mbetet me këmbë në tokë, nuk flet për medalje e tituj, por kërkon që e ardhmja t’i rezervojë një karrierë pa lëndime dhe formë të shkëlqyer fizike.

Top Channel