Një Gala për të “nderuar” tolerancën

18/12/2014 00:00

U zhvillua mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, “Grand Gala”-ja tradicionale që Top Channel dhe Fondacioni Mediatik “Dritan Hoxha” organizojnë çdo fundvit.

Një mbrëmje me tematikë tolerancën, nisur nga shembulli i fshatit Malbardhë, ku banorët në shumicë muslimane ndërtuan një kishë për pakicën e krishterë, një shembull i shkëlqyer i tolerancës fetare.

Të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave do të shkojnë për ndërtimin e rrugës së fshatit, por së shpejti do të ftohen edhe qytetarët të kontribuojnë. Nga ana tjetër, edhe qeveria shqiptare po shqyrton mundësinë e ndërtimit të rrugës për këtë komunitet të vogël në numër, por të madh në vlera.

Aktorë nga Shqipëria e Kosova interpretuan pjesë të shkruara nga shkrimtarë të njohur vendas, disa prej tyre enkas për këtë mbrëmje, të cilat bartin mesazhe sensibilizuese për tolerancën në tërësi.

“Vëllezër do të mbesin, islam dhe kaurrë. Kush do të na përçajë, le të rrijë atje jashtë”.

“Ishte njëvjetori i shpalljes së Pavarësisë. Kisha dhe xhamia në fjalë janë bashkuar me një fill, ku varen flamuj kombëtarë dhe kandila të ndezur”.

“Toleranca themelohet me një akt sakrifice. Dhe kur vjen puna te kultura e bashkëjetesës në diversitet, ne shqiptarët, për një rrethanë apo rrjedhojë historike, dhe jo për ndonjë virtyt të racës, jemi një shembull demanuale”.

“Unë, falemnderit Zotit, kam ushqime jo për një, por për tri a katër. Pranda, gjithçka kam unë është edhe e jotja”.

E moderuar nga disa figura të njohura të ekranit të Top Channel, mbrëmja u zhvillua me nota të muzikës shqiptare. Pjesë instrumentale dhe këngë u interpretuan nga orkestra dhe kori i TKOB-së, orkestra e Top Channel dhe këngëtarë lirikë e të muzikës moderne.

Një nderim i veçantë shkoi për themeluesin e Top Medias, zotin Dritan Hoxha, me një nga këngët e tij të preferuara, e cila iu dedikua kujtimit të tij.

Ashtu sikurse çdo vit, u dha edhe çmimi “Dritan Hoxha” për 2014-n, i cili i shkoi kampiones së botës në xhudo, sportistes nga Kosova Majlinda Kelmendi, në shenjë mirënjohjeje për ngritjen lart të emrit të Shqipërisë në botë.

“Grand Gala 2015” do të transmetohet në ekranin e Top Channel, në programacionin argëtues të përgatitur për festën e ndërrimit të viteve.

Top Channel