Mashtrimi me azilin në Gjermani, policia bllokon 270 udhëtarët e një agjencie

18/12/2014 00:00

Në orët e mbrëmjes së të enjtes mori fund odiseja në Portin e Vlorës, ku që prej mëngjesit, rreth 1600 pasagjerë kishin mbërritur me qëllim nisjen e tyre drejt Italisë e më pas për të shkuar në Gjermani për të kërkuar azil.

“Do iki ne gjermani, te jetoj atje dhe te filloj pune. Kam garanci për të ikur në Itali, ndërsa për në Gjermani nuk kam asgjë. Ka njerëz që kanë shitur bagëtitë dhe gjithçka. Kanë lënë nga mbrapa një shkretëtirë. Nuk e di si do të bëhet kjo punë”, shprehet një prej udhëtarëve.

Rreth orës 19:10 trageti i linjës Vlorë – Brindisi u shkëput nga kalata e Portit të Vlorës në drejtim të Italisë. Në këtë traget kanë qenë 14 autobusë, të cilët kishin destinacion Italinë.

Gjatë orëve të pasdites në Portin e Vlorës kanë qenë dhe forca të shumta policie të Vlorës të mbështetura dhe nga Delta Forcë si dhe FNSH e ardhur nga Fieri.

Pas një kontrolli të dokumentacionit në terminalin e tragetëve të pasagjerve, 270 prej tyre u kthyen. Ata kishin mungesë dokumentacioni si dhe garancie për të udhëtuar drejt Italisë.  Shumë nga të rinjtë dhe familjarët në biletën e udhëtimit kur ishin pyetur kishin thënë se po shkojmë në Itali, por në bilete destinacioni i tyre ishte Vlorë-Mynih, gjë që binte në kundërshtim me garancinë që kishin për në vendin fqinj.

Policia i ka kthyer mbrapsht dhe disa prej tyre janë shoqëruar në ambientet e drejtorisë së policisë së Vlorës për t’u pyetur rreth organizimit që ata kanë patur me anën e një agjencie për këtë ikje masive drejt Gjermanisë.

Po ashtu dhe presidenti i agjencisë,  Agim Mucaj është marrë në pyetje nga specialist të emigracionit pranë drejtorisë së policisë së Vlorës. Gjate orëve të paradites, ai deklaroi se i çon udhëtarët deri në Milano.

“Ne i presim biletat vetëm vajtje. Ai që e do biletën vajtje-ardhje mund ta presë edhe ashtu. Ky fluks i madh erdhi pas publicitetit që kam bërë unë, korrektësia me njerëzit dhe me punën”, deklaron Agim Muça, pronar i agjencisë.

Pas këtij lajmi ka reaguar ambasada e Gjermanisë në Tirane, duke theksuar se nuk ka asnjë mundësi për të fituar azilin ekonomik.

“Ambasada po ndjek me shqetësim imigrimin ilegal të shqiptarëve për në Gjermani, i cili prej një viti është në një nivel shumë të lartë. Kohët e fundit duket se janë përhapur thashetheme me qëllim për të nxitur shqiptarët të udhëtojnë jashtë vendit duke ju servirur atyre fakte të rreme. Të gjithë ata, të cilët çojnë ndër mend të paraqesin kërkesë për azil në Gjermani, duhet të dinë se: Kushtetuta dhe ligjet e shtetit tonë parashohin të drejtën për azil për t’ju ofruar mbrojtje qytetarëve, të cilët janë të kërcënuar nga përndjekja në vendet e tyre të origjinës. Por në të kundërtën, kush dëshiron t‘i shpëtojë një situate të vështirë ekonomike, nuk ka të drejtë për azil. Thashethemet, sipas të cilave, për shtetasit shqiptarë ekzistojnë shanset për të përfituar azil politik dhe mundësitë për t’u punësuar, janë të pavërteta. – thuhet në deklaratë.

Top Channel