KE, fond për Ballkanin. Mbi 66 mln euro për Shqipërinë

18/12/2014 00:00

Plot 24 orë pas samitit të Kinës me vendet e Europës jug-lindore në Beograd, Komisioni Europian finalizoi paketën e 2014-s për programin e ndihmës së para-anëtarësimit që mbështet reformat e vendeve që duan t’i bashkohen BE-së.

Shuma prej 2 miliardë eurosh i përket fondeve IPA dhe është vënë në dispozicion në tërësi për vendet e rajonit dhe Turqinë, e cila përfiton më shumë se gjysmën e këtij buxheti.

Të paktën 66.7 milionë euro është pjesa e ndarë për Shqipërinë në financimin e sektorëve: demokraci e qeverisje, sundim i ligjit dhe të drejtat themelore.

Ndihma financiare përfshin gjithashtu një program të mbështetjes buxhetore për reformën e sistemit të menaxhimit të financave publike në Shqipëri, “e para e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor” në vlerësimin e Komisionit Europian.

Këtë vit financimi ofrohet për forcimin e autorësisë së përfituesve duke integruar reformën e tyre dhe axhendat e zhvillimit.

“Fondet do të mbështesin reforma konkrete ekonomike e demokratike, nga modernizimi i gjyqësorit dhe administratës publike, deri tek investimet në infrastrukturë dhe lidhjet ndërmjet vendeve të zgjerimit e më pas dhe me vendet e BE-së”, deklaroi komisioneri për Zgjerimin, Kahn.

Sipas tij, kjo forcon më tej stabilitetin e rajonit, ekonominë dhe potencialin e tij për investime.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel