Rama publikon shpërblimet për Vitin e Ri, ja kategoritë që përfitojnë

18/12/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ka bërë publike shpërblimet e fundvitit për një sërë kategorish, ku ndryshe nga sa mediat raportuan nga përfundimi i mbledhjes së qeverisë, një dite më parë, pensionistët janë të gjithë përfitues.

Kreu i qeverisë i ka bërë të ditura këto vendime në podiumin e Kuvendit, pasi kohën më të madhe të seancës përpara fjalës e konsumoi në biseda me kryetarin e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, ministrin e Financave, por edhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar.

Renditjen e shpërblimeve  e nisi me atë që njihet si kategoria vulnerabël:

“Për pensionistët kryefamiljarë, të vetmuar ose në çift, për familjet në ndihmë ekonomike dhe për personat me aftësi të kufizuara, do të jepet një shpërblim prej 3 mijë lekësh, ose 30 dollarë. Ndërsa për pensionistët e tjerë shpërblimi do të jetë 2 mijë lekë, ose 20 dollarë. Po ashtu do të kemi një shpërblim të posaçëm për veteranët e luftës dhe për të përndjekurit e regjimit komunist mbi moshën 65 vjeç. Të dyja këto kategori do të marrin një shpërblim prej 5 mijë lekësh, ose 50 dollarë”, u shpreh kryeministri Rama.

Në këtë listë vijonë më pas familjet e policevë të vrarë dhe ushtarakëve me mision jashtë vendit, që përfitojnë nga 10 mijë lekë.

Në ndryshim nga qeveritë paraardhëse, kabineti Rama ka ndryshuar – siç tha ai vetë – filozofinë e shpërblimeve, pasi kategoritë e tjera të vlerësuara janë ata që kryeministri i quajti njerëzit e spikatur të shoqërisë, të cilët janë dalluar në punën apo rezultatet e tyre.

Trupa mësimore e 10 shkollave të mesme, të vlerësuara si më të mirat nga matura shtetërore; 3 ekipet e shërbimeve shëndetësore më të mira në vend; njësia më e mirë policore që është Qarkullimi i Tiranës; punonjësit e Zyrës Pyjore për ruajtjen e Parkut të Divjakës; të gjithë të shpërblyer me nga 40 mijë lekë. Nxënësit dhe studentët e ekselencës shpërblehen me 5 mijë lekë.

Top Channel