Putin: Rubla do stabilizohet. Faktorë të jashtëm ndikuan në ekonomi

18/12/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin këmbëngul se pikiata e rublës do të frenojë dhe monedha e zhvlerësuar ruse do të arrijë të stabilizohet. Por të tilla pohime entuziaste ai i shoqëroi edhe me paralajmërimin se kriza ekonomike mund të zgjasë dy vjet.

Komentet e shefit të Kremlinit erdhën gjatë konferencës së tij të përvitshme në fund të vitit.

“Kjo rënie e madhe e rublës i detyrohet faktorëve të jashtëm, edhe pse e vërteta është se Banka Qendrore mund të kishte ndërhyrë më shpejt. Megjithatë, rezervat e monedhës kombëtare janë të mjaftueshme për ta mbajtur ekonomine të stabilizuar. Ju siguroj se ajo ka për të dalë nga kjo situatë. Sa do zgjasë gjendja ku ndodhemi sot? Në rastin më të keq them se rreth dy vjet. Por pas kësaj rritja është e pashmangshme për shkak të ndryshimit të situatës ekonomike globale në tërësi, e cila do të shtojë kërkesën për burime energjie”, deklaroi Putin.

Putin e pranoi se Rusia ka dështuar në diversifikimin e ekonomisë së saj të goditur rëndë nga ulja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe sanksionet e vendosura nga Perëndimi për shkak të krizës ukrainase.

Rusët e kanë ndjekur me shumë vëmendje atë çfarë presidenti i tyre kishte për t’iu thënë në lidhje me ekonominë. Edhe pse pati një forcim të lehtë mëngjesin e sotëm, rubla sërish nuk e ka marrë veten nga luhatjet e mëdha të këtyre ditëve dhe i gjithë vendi mbetet në buzë të reçesionit.

Në fillim të javës pati raporte se njerëzit po vërshonin nëpër dyqane për të shpenzuar para përpara se çmimet të rriteshin sërish, duke kujtuar epokën sovietike. Pjesa më e madhe kanë blerë makina e pajisje elektroshtëpiake.

Presidenti amerikan Barack Obama pritet të firmosë këtë javë legjislacionin që autorizon një valë sanksionesh të reja ekonomike ndaj Moskës dhe të njëjtën gjë pritet të bëjnë edhe liderët e Bashkimit Europian, të cilët me shumë gjasë do të ndalojnë investimet në Krime dhe eksplorimin për naftë e gaz në Detin e Zi.

Top Channel