PD: Firma e Veliajt, sërish fonde publike

18/12/2014 00:00

Partia Demokratike denoncoi një rast sipas të cilit kompania EAG, sipas opozitës e lidhur me ministrin Erion Veliaj, ka fituar sërish fonde publike, në mënyrë të paligjshme.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma, paraqiti dokumentin që fakton marrjen e fondit nga kompania EAG, e cila është paguar për prodhimin e logos së Agjensisë Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, në varësi të ministrit Veliaj. Sipas opozitës, kjo është një aferë e pastër korruptive sepse logoja për të cilën është paguar kompania, ekzistonte.  

“Funksionarë dhe punonjës të Agjensisë e kanë kuptuar se gjenden para një shkeljeje të rëndë ligjore, të frikësuar se janë detyruar të bëhen pjesë e këtij abuzimi, i janë drejtuar kryeministrit Rama dhe ministrit Veliaj, ku i kanë sqaruar rrethanat korruptive. Asnjë reagim, çështja është fshehur nga Veliaj dhe Edi Rama. Heshtja, fshehja dhe mospërgjigjia ndaj denoncimit që i ka ardhur nga vetë punonjësit e agjencisë vërtetojnë bekimin e Edi Ramës ndaj kësaj afere. Ky është një rast skandaloz i korrupsionit të pastër, e vjedhjes më të dy duart të taksave të qytetarëve të vendit. Del dhe bën propaganda, keqpërdor një grua zëvendësministre për 12 mijë lekë të vjetra të papaguara, nga ana tjetër me lejen e tij, një kompani disa mujore pasurohet pareshtur me fonde publike. Në këtë mënyrë, me këtë skemë të pastër korrupsioni, EAG ka marrë deri tani nga dhjetëra zyra qeveritare, 520 milionë lekë. Ja pra, kush është standardi, mënyra, shëmbëlltyra e kësaj qeverie”, u shpreh Grida Duma.

Top Channel