Arrestimet për ujësjellësin e Kukësit, kryebashkiaku: U dëgjua zëri ynë

18/12/2014 00:00

Menjëherë pas arrestimeit të 4 personave dhe shpalljes në kërkim të një tjetri, me akuzën se kanë abuzuar me fondet e destinuara për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit të Kukësit, ka reaguar kryebashkiaku i këtij qyteti, Hasan Halilaj.

Në një dalje për mediat, ai ka deklaruar se më në fund institucionet përgjegjëse kanë dëgjuar zërin e qytetarëve, por edhe vetë Bashkisë Kukës, që kanë kërkuar zgjidhjen e këtij problemi kaq të madh.

Halilaj ka shtuar se Prokuroria ka bërë një punë serioze, ndërkohë që qeveria duhet patjetër që të zgjidhë këtë problem, përmes ripunimit të projektit dhe rifinancimit të tij.

Sipas Halilajt, Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve duhet të zgjidhin përfundimisht këtë çështje.

“Na është premtuar nga kryeministri se jo vetëm do trajtojnë problemin e 4 milionë eurove të shpenzuar dhe që prap kanë lënë Kukësin pa ujë, por se do të rishikojnë projektin, ripërpunimin e tij dhe rihapjen e fondeve, me qëllim zgjidhjen e këtij problemi”, ka deklaruar Halilaj.

Për katër shtetasit, gjykata e Kukësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” pasi dyshohen për konsumim të veprës penale “falsifikim të dokumentave zyrtare të kryer në bashkëpunim”, duke sjellë si pasojë një dëm ekonomik shtetëror prej 4.3 milionë euro.

Të arrestuarit janë Guri Aliaj, drejtor i zbatimit të projekteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë; Zeqir Isaku dhe Halil Beta, të dy inxhinierë në këtë drejtori; si dhe Gazmend Muçaj, përfaqësues ligjor i studios së projektimit “Mega-Studio” dhe supervizor i punimeve.

Autoritetet kanë shpallur në kërkim edhe Ramadan Bunçin, drejtues tenik i shoqërisë “Gener 2 Albstar”.

Top Channel