Rama: Serbia nuk është armiku ynë. Bota, më e madhe se një top futbolli

18/12/2014 00:00

“Shqiptarët dhe serbët mund të kenë një të ardhme të ndritshme së bashku”. Kryeministri shqiptar Edi Rama, i ftuar nga televizioni N1, që është një televizion rajonal në Serbi, Bosnje dhe Kroaci si degë e rrjetit amerikan CNN në gjuhën serbe, tha se gjërat me të cilat duhet të merret politika janë problemet e qytetarëve.

Gazetari: Herën e ardhshme kur të takoni kryeministrin Vuçiç, ku do të jetë, në Tiranë apo në Beograd?

Rama: “E kam ftuar të vijë në Tiranë. I kam thënë në konferencë, por edhe privatisht se mund të thotë çfarë të dojë në Tiranë dhe askush nuk do të ndihet i provokuar. Mbase do të ndihemi vetëm keq që nuk pajtohemi për një çështje madhore. Sidoqoftë ne duhet të bashkëpunojmë, sepse Serbia nuk është armiku ynë. Serbia është një potencial i lartë për aleat, për ta lehtësuar jetesën e qytetarëve në Shqipëri dhe Serbi, por edhe në rajon, duke e bërë shumë, shumë më të mirë”.

Rama në intervistën e vetme për mediat gjatë vizitës në samitin e Beogradit është pyetur edhe për vizitën e kaluar, për ndeshjen e futbollit, për ndeshjen e kthimit, por edhe tejkalimin e problemeve dhe ato që janë kuptuar si provokim në Serbi.

“Le të mendojmë gjëra të mëdha. Nuk duhet të bëhemi aq të vegjël sa një top futbolli. Bota është shumë më e madhe, topi është shumë i vogël”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka shtuar se problemet janë trashëguar nga e kaluara.

Top Channel