Mitrovicë, nis gjyqi ndaj Oliver Ivanoviç

18/12/2014 00:00

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut ka filluar mëngjesin e së enjtes gjykimi kundër politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe katër të pandehurve të tjerë.

Në nisje të procesit, prokuroria mbajti fjalën hyrëse të saj.

Procesi gjyqësor zhvillohet me dy linja akuzash. Në të parën Ivanoviç akuzohet për kryerje të krimeve të luftes ndaj popullatës civile shqiptare në prill 1999.

Në të dytën, ai dhe katër të tjerë akuzohen për vrasje apo nxitje të vrasjes së disa shqiptarëve në shkurt të vitit 2000.

Pesë të pandehurit u vetëdeklaruan të pafajshëm, ndërsa Ivanoviç theksoi se akuzat ndaj tij janë të pavërteta.

Procesi po zhvillohet nën masa të larta sigurie, ndërsa po ndiqet nga një interes i madh mediatik për shkak se i pandehuri kryesor është edhe një ndër liderët më të njohur politikë të serbëve të Kosovës.

Ai është gjithashtu ish-deputet i legjislaturës së dytë të Kuvendit të Kosovës dhe ish-kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ivanoviç u arrestua në fillim të vitit nga EULEX.

Top Channel