OJF-të: Më shumë investime publike për fëmijët

18/12/2014 00:00

Investimet publike të cilat garantojnë të drejtat e fëmijëve në Shqipëri kanë pësuar rënie. Një raport i Save the Children konstaton se familjet me fëmijë nga zero në 5 vjeç kanë nivelet më të larta të varfërisë dhe se nga 144 mijë fëmijë që jetojnë në këto familje, vetëm 85 mijë përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike.

Për pasojë, 27 për qind e fëmijëve të grupmoshës 6 vjeç janë të kequshqyer dhe ata të moshës shkollore në familjet e vrafëra rrezikojnë të mbeten jashtë sistemit arsimor, pasi janë të detyruar të punojnë.

Në raport theskohet se reduktimet më të mëdha në shpenzime kapitale janë në arsim dhe në programet e kudjesit shëndetësor.

Por ministri i Shëndetësise, Ilir Beqaj tha se treguesit e investimeve janë në rritje, por një pjesë e tyre nuk janë të reflektuara në buxhete për shkak të shërbimeve që ofrohen në partneritet me operatorët privatë.

“Ne kemi folur për paketën bazë të kujdesit shëndetësor që do realizohet me 15 milionë dollarë. Kjo nuk pasqyrohet në shifrat e buxhetit, por një operator jopublik ka marrë përsipër ta investojë dhe më pas shlyerja do të bëhet në bazë të kontratës së shërbimit, që do të jetë për 10 vjet. Po punojmë për ato standarde shëndetësore që çdo grua të ketë një shtatëzëni të shëndetshme, një fëmijë një shëndet normal dhe çdo i rritur shëndet të mirë mendor”, deklaroi Beqaj.

Në raprot theskohet se edhe në sistemin e drejtësisë ka shumë pak investime për format alternative të kryerjes së dënimit nga të miturit. Sipas tyre, rritja e investimeve publike për fëmijët sipas një vizioni të planifikuar garanton realizimin e të drejtave të të miturve në Shqipëri.

Top Channel