KiE, Tusk: Liderët duhet të synojnë një strategji afatgjate ndaj Rusisë

18/12/2014 00:00

Liderët e Bashkimit Europian u mblodhën të enjten në Bruksel në kërkim të gjuhës së përbashkët për një strategji afatgjate për t’u përballur me një Rusi aspak miqësore, por edhe të plagosur ekonomikisht.

Kreu i samitit, Donald Tusk, ish-kryeministër i Polonisë dhe që prej nëntorit President i ri i Këshillit të Europës, tha se ishte jetësore për qëndrueshmërinë e kufijve lindorë të bllokut të niseshin diskutimet mbi mënyrën se si do të trajtohen kjo marrëdhënie, që shumëkush paralajmëron se mund të kthehet edhe në një Luftë të re të Ftohtë.

“Situata është realisht dramatike dhe tepër dinamike. Sigurisht, që kjo kërkon reagime të menjëhershme”, tha Tusk, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Ukrainës, në konfrontimin e saj me Moskën.

Ai vuri në dukje gjithashtu ashpërsimin e sanksioneve ekonomike më herët gjatë ditës, kundrejt investimeve në Krime, gadishullin me dalje në Detin e Zi që u aneksua nga Ukraina në mars, prej Presidentit Vladimir Putin.

“Por me siguri –  u tha Tusk reporterëve teksa mbërrinte për të udhëhequr samitin e parë të BE-së nën drejtimin e tij – ne nuk do të mund të gjejmë një zgjidhje afatgjate për Ukrainën, pa pasur një strategji të përshtatshme dhe të vazhdueshme, të ashpër por edhe përgjegjëse njëkohësisht, kundrejt Rusisë”.

Disa vende të Europës Lindore, dikur satelitë të Moskës e tashmë të shkëputur prej Rusisë, kanë shprehur shqetësimet për frikën nga provokatori Putin, si dhe shqetësimet për efektet që do të ketë kriza financiare e Rusisë ndaj ekonomive të tjera europiane, gjë që mund të detyrojë fuqitë e Bashkimit Europian të lehtësojnë sanksionet, ose të tërhiqen nga mbështetja politike dhe ekonomike për Kievin.

Por, diplomatët thonë se liderët e vendeve të BE-së, të cilët do të diskutojnë mbi Rusinë dhe Ukrainën pasdite, nuk kanë konsensus qoftë për tërheqjen e sanksioneve që do të zgjasin deri verën e vitit të ardhshëm, ashtu dhe për vendosjen e sanksioneve të reja.

Tusk, i cili do ta hapë samitin me një kërkesë për të miratuar një plan të ri investimesh të BE-së për të stimuluar rritjen ekonomike, tha se blloku që gjendet në vështirë për parà “cash”, duhet të përshkallëzojë ndihmën e tij për Ukrainën.

Top Channel